Ndërlidhjet

Përshkallëzohet situata në Burrel dhe Kamëz të Shqipërisë


Fotografi ilustruese.

Në qytetet ku partitë opozitare në Shqipëri, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kontrollojnë bashkitë, është raportuar për tensionim të situatës, pasi mbështetësit opozitarë janë grumbulluar pranë mjedisve ku janë vendosur Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), duke kërkuar ndërprerjen e përgatitjeve për zgjedhjet lokale, transmeton Zëri i Amërikës.

Situata është thënë të jetë përshkallëzuar në Kamëz dhe në Burrel, pasi protestuesit kanë tentuar hyjnë në mjediset e këtij Komisioni.

Është raportuar se policia ka përdorur edhe gaz lotjsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët më vonë kanë depërtuar brenda Pallatit të Sportit, dhe u kanë vënë flakën materialeve zgjedhore.

Tashmë ka disa ditë që mbështetësit opozitarë janë duke kërkuar që të lirohen hapësirat e vëna në dispozicion për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Ata vlerësojnë se duhet respektuar dekreti i presidentit shqiptar, Ilir Meta për anulimin e këtyre zgjedhjeve dhe të mos ketë asnjë proces zgjedhor.

Por zyrtarë të KQZ-së në anën tjetër e kanë konsideruar të pavlefshëm vendimin e presidentit Meta dhe kanë vazhduar përgatitjet për zgjedhje.

Përshkallëzim i ngjashëm i situatës është raportuar edhe në Tropojë dhe Shkodër, ku policia ka arrestuar 13 persona.

XS
SM
MD
LG