Ndërlidhjet

BE: Qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën për të votuar


Fotografi ilustruese

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, përmes një deklarate për media, tha se qytetarët e Shqipërisë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

“Duke pasur parasysh votimet që do të zhvillohen më 30 qershor, 2019, është e domosdoshme që qytetarët t'i ushtrojnë të drejtat e tyre dhe ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt”, thuhet në deklaratë.

Sipas delegacionit të BE-së, të gjithë aktorët politikë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të mos e penguar procesin e votimit.

“Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese”, theksohet në deklaratë.

Sipas së njëjtës, procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODIHR - grup që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike, në mënyrë që t’i përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria në procesin e reformave për integrim në Bashkimin Evropian”, përfundon deklarata.

Shqipëria, tash e sa kohë, është përfshirë nga një krizë politike.

Opozita, me muaj, proteston kundër qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama dhe është zotuar se do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Të enjten, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar 13 tetorin si datë të re të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Megjithatë, Partia Socialiste, e udhëhequr nga Rama, insiston në 30 qershor.

Data e fundit njihet si datë zyrtare e zgjedhjeve edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe ambasadat me seli në Tiranë.

XS
SM
MD
LG