Ndërlidhjet

Franca i bën thirrje Iranit të ulë menjëherë nivelet e uraniumit të pasuruar


Ilustrim

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Iranit të "zvogëlojë menjëherë" rezervat me uranium të pasuruar, një ditë pasi Teherani njoftoi se kishte shkelur kufizimet, në kuadrin e një marrëveshjeje bërthamore të vitit 2015, për t'u hakmarrë ndaj sanksioneve të reja amerikane.

Përmes një deklarate, Macron i bëri thirrje Iranit "që menjëherë të anulojë këtë tejkalim dhe të abstenojë nga çdo masë tjetër që do të dëmtonte detyrimet bërthamore".

Të hënën, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, tha se Irani tani kishte tejkaluar kufirin në rezervat e uraniumit të pasuruar.

Këtë, e konfirmoi edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB).

Agjencia tha se inspektorët e saj kanë verifikuar se kufiri prej 300 kilogramësh është tejkaluar.

Duke komentuar veprimet e fundit iraniane, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Irani “po luan me zjarrin”.

Shtëpia e Bardhë, më herët ka reaguar, duke thënë se “SHBA-ja dhe aleatët e saj kurrë nuk do të lejojnë Iranin të zhvillojë armë bërthamore”.

Marrëveshja bërthamore kufizon pasurimin e uraniumit dhe rezervat e Iranit me këtë substancë, ndërsa redukton edhe kapacitetet bërthamore të këtij vendi, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare kundër tij.

Por, Shtetet e Bashkuara e kanë braktisur në mënyrë të njëanshme marrëveshjen, në maj të vitit 2018, dhe i kanë rikthyer sanksionet kundër Iranit.

SHBA-ja e akuzon Iranin si sponsorizuesin kryesor të terrorizmit në rajon.

XS
SM
MD
LG