Ndërlidhjet

Presidenti iranian jep shenja për bisedime me SHBA-në


Presidenti iranian, Hassan Rohani.

Presidenti iranian, Hassan Rohani ka dhënë shenja se Teherani është i hapur për shkëmbim të anijeve me Britaninë, si dhe për bisedime indirekte me Shtetet e Bashkuara për programin bërthamor të Iranit dhe sanksionet amerikane ndaj këtij shteti.

“Ne nuk duam tensione me disa shtete evropiane”, ka thënë Rohani në disa komente të publikuara në faqen zyrare të qeverisë më 24 korrik.

Rohani ka thënë se nëse Britania “është e gatshme për të rregulluar aktet jokorrekte që ka bërë, duke përfshirë ato të Gjibraltar, përgjigjja e Iranit” do të ishte në përputhje me hapat e tyre.

Tensionet në mes të Iranit dhe Britanisë janë përshkallëzuar prej kur marina britanike ka konfiskuar një anije iraniane në Gjibraltar dhe më pas Irani ka kapuar një anije me flamur britanik në Ngushticën e Hormuzit.

Rohani po ashtu ka thënë se Teherani do të ishte i hapur për bisedime me Uashingtonin nëse do të ekzistonte ndonjë “armëpushim” sa u përket sanksioneve ekonomike të vendosura nga SHBA-ja kundër Iranit.

Tensionet në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar prej vitit të kaluar, kur presidenti amerikan, Donald Trump ka larguar SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Sipas marrëveshjes, Teherani lirohet nga sanksionet ndërkombëtare në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

Vendet tjera nënshkruese të marrëveshjes, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina, kanë thënë se do të tentojnë të sigurojnë zbatimin e këtij dokumenti.

XS
SM
MD
LG