Ndërlidhjet

Shkup: Zhbllokimi i trafikut përmes mjeteve të reja transportuese


Shkup, foto nga arkivi

Maqedonia e Veriut është përfshirë nga fluksi i madh i përdorimit të trotinetëve nga ana e qytetarëve. Prania e tyre si mjet që ka kosto të ulët dhe është më fleksibil për të lëvizur është më e dukshme në qytetin e Shkupit i cili është me trafik të mbingarkuar.

Por, lëvizja e trotinetëve në qytete më të mëdha zbarkon trafikun, ndërsa në anën tjetër lëvizja e tyre e në trase të padefinuar është duke krijuar më shumë probleme për këmbësorët.

Pikërisht për këtë arsye, që të rregullohet prania e trotineteve elektrik në trafik, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se është duke planifikuar që lëvizjen e tyre ta përfshijë në Ligjin për sigurinë në komunikacion, duke përcaktuar kushtet e nevojshme për funksionimin e tyre.

“Ministria e Punëve të Brendshme tanimë ka formuar një grup punues me qëllim të definohet qartë se si do të trajtohet ky mjet i ri transportues”, bën të ditur Toni Angellkovski, zëdhënës i Policisë.

Qyteti i Shkupit ka përshëndetur iniciativën e dikasterit të policisë që me ligj të rregullohet lëvizja e trotinetëve elektrik, në mënyrë që të shmangen sa më shumë që është e mundur incidentet e shkaktuara në trafik nga ky lloj transpoti që gjithnjë e më shumë bëhet atraktiv për qytetarët.

“Trotinetët elektrik mund të arrijnë shpejtësi më të madhe se biçikletat dhe mjete e tjera transportuese alternativë dhe pikërisht për këtë duhet të rregullohet përmes një rregulloreje të qartë lëvizja e trotinetëve eterik, që duhet të përgatitet nga Ministria e Punëve të Brendshme me qëllim të mënjanimit dhe ikjes së incidenteve të ndryshme në trafik”.

“Ne si qytet i Shkupit në vazhdimësi punojmë në rregullimin e hapësirave për biçikletat të cilat janë adekuate dhe për lëvizjen e trotinetëve elektrik”, thotë Valon Saliu zëdhënës i qytetit të Shkupit.

Ai thekson se interesimi i qytetareve për të shfrytëzuar këtë mjet alternativ për transport duket se është në rritje, për çka qyteti i Shkupit tani për dy vite me radhe për të stimuluar shfrytëzimin e trotineteve elektrik ndan subvencione për qetarët që e shfrytëzojnë këtë mjet për transport.

Por, qytetarët ankohen se mungon infrastruktura rrugore për qarkullimin e biçikletave dhe trotinetëve, veçanërisht në Komunën e Çairit të Shkupit, për dallim nga pjesa tjetër e kryeqendrës.

“Zakonisht duhet të fus në makinë trotinetin tim deri në pjesën tjetër të qytetit që të mund ta përdor. Në këtë lagje (Cair) është e pamundur të lëvizet me këtë automjet, kështu që ne jemi të privuar nga përdorimi i këtij lloj automjeti”, thotë Vesa Aliu.

Shfrytëzuesit e trotinetëve thonë se kanë më shumë probleme me këmbësorët ndërkohë që kërkojnë trasat e veçanta për trotinet dhe jo ato që janë për biçikleta, sepse siç thonë, nuk janë adekuate për qarkullimin e këtij lloj mjeti për transport.

“E kam shumë më lehtë që në punë të shkojë me trotinet edhe pse bëj më shumë se 15 km në ditë. Ka shtigje për biçikleta, por ato nuk janë adekuate për qarkullimin me trotinet sepse rrotat e trotinetëve elektrik janë shumë më të vogla dhe nuk u bëjnë ballë gropave të vogla që janë prezentë në këto shtigje", thotë Martin Bogatinovski i cili shfrytëzon trotinetin si mjet për transport.

Autoritet e qytetit të Shkupit thonë se punohet edhe në këtë drejtim për eliminimin e barrierave të ndryshme në komunikacion.

Përderisa trendi i trotinetëve elektrik çdo ditë e më tepër rritet në Maqedoni, shumë qytete të BE-së tani për disa vite ballafaqohen me vendosjen e standardeve të sigurisë për qarkullimin e trotinetëve si mjet i ri transportues.

XS
SM
MD
LG