Ndërlidhjet

Presidenti Trump anulon vizitën në Poloni


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump duke iu drejtuar gazetarëve. (Foto nga arkivi)
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump duke iu drejtuar gazetarëve. (Foto nga arkivi)

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se e ka anuluar udhëtimin e tij në Poloni, pasi do t’i duhet të qëndrojë në SHBA, për shkak të stuhisë Dorian, e cili po kërcënon të godasë shtetin e Floridas, brenda disa ditëve të ardhshme.

"Për të siguruar që të gjitha burimet e qeverisë federale janë të përqendruara në Florida, unë kam vendosur të dërgoj nënpresidentin, Mike Pence, në Poloni këtë fundjavë", tha Trump.

Presidenti amerikan tha se është e rëndësishme që ai të mbetet në Uashington, për t'u marrë me stuhinë, duke shtuar se ajo mund të jetë "shumë e fuqishme".

Njerëzit po shikojnë drejt Oqeanit, disa orë përpara se stuhia Dorian të hyjë në Patillas, Porto-Riko.
Njerëzit po shikojnë drejt Oqeanit, disa orë përpara se stuhia Dorian të hyjë në Patillas, Porto-Riko.

Trumpi, ishte planifikuar të nisej për në Varshavë, më 31 gusht për përkujtimet që shënuan 80 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ai tha se e kishte njoftuar presidentin polak, Andrzej Duda, më herët gjatë ditës për anulimin e vizitës, dhe se ai po planifikon ta realizojë vizitën në një të ardhme të afërt.

Banorët në Florida kanë filluar të grumbullojnë ujë, prodhime ushqimore dhe derivate, ndërsa stuhia Dorian vazhdon të mbledhë fuqi, përderisa lëviz përmes Oqeanit Atlantik drejt shtetit jugor.

Dorian aktualisht është renditur si një stuhi e kategorisë së parë por shkencëtarët thonë se ajo mund të godasë tokën si një stuhi e rrezikshme e kategorisë së katërt.

XS
SM
MD
LG