Ndërlidhjet

Negociatat për qeverinë e re italiane nuk kanë përfunduar ende


Lideri i Lëvizjes Pesë Yjet, Luigi di Maio.

Partia italiane, Pesë Yjet ka paralajmëruar të premten se tentimet për të krijuar koalicion me Partinë Demokratike të qendrës së majtë, ende ka mundësi të dështojnë.

Drejtuesi i kësaj partie, Luigi Di Maio, ka thënë se “ne ose do të arrijmë marrëveshje që bazohet në pikat e programit tonë, ose do të ndalemi këtu”.

Nëse Partia Demokratike, e cila ka qenë armike e Lëvizjes Pesë Yjet vetëm disa javë parë, nuk pajtohet me kërkesat kyçe të Lëvizjes atëherë “do të jetë më mirë që të kthehemi te kutitë e votimit sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Di Maio.

Paralajmërimet e tij kanë ardhur pas disa konsultimeve me kryeministrin teknik, Giuseppe Conte, të cilit i është kërkuar që të formojë qeverinë e re, pas shpërbërjes së koalicionit popullist të Italisë më herët gjatë këtij muaji.

“Ne nuk jemi duke shikuar për një qeveri sa për të thënë, ne konsiderojmë se disa prej pikave tona të programit janë të domosdoshme”, ka thënë ai.

Reagimet e Partisë Demokratike kanë qenë të shpejta, pasi Graziano Delrio, ka insistuar se partia “është e përkushtuar që me besnikëri të mbështesë përpjekjet e kryeministrit Conte. Këto përpjekje kanë kthyer besimin në Itali”.

“Ultimatumet e Di Maios ndaj kryeministrit tenik janë plotësisht të papranueshme”, ka thënë ai.

Lideri i Partisë italiane, Liga, Matteo Salvini, pati bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme para prishjes së koalicionit që ka ekzistuar në mes të partisë së tij dhe Lëvizjes Pesë Yjet, duke thënë se dallimet brenda partnerëve të koalicionit, nuk mund të tejkalohen.

Bazuar në sondazhe, partia e Salvinit gëzon dukshëm më shumë përkrahje, kryesisht për shkak të qasjes së tij kundër migrimit ilegal.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, Lëvizja Pesë Yjet ka fituar dy herë më shumë vota sesa Partia Liga, mirëpo sondazhet parashikojnë se gjendja tani është ndryshe.

XS
SM
MD
LG