Ndërlidhjet

Putin: Rusia do të prodhojë dhe pozicionojë raketa nëse SHBA-ja vepron njëjtë


Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se Rusia do të prodhojë raketat e ndaluara deri një muaj më parë, dhe do t’i pozicionojë ato nëse Shtetet e Bashkuara veprojnë njëjtë.

Shtetet e e Bashkuara dhe Rusia janë tërhequr nga Traktati për Armë Bërthamore, i cili ndalon raketat e nisura nga toka dhe ato balistike me rreze nga 500 deri në 5,500 kilometra.

“Ne e kemi bërë të qartë se nuk do të pozicionojmë asgjë pasi amerikanët kanë testuar një raketë të tillë”, ka thënë Putin në një konferencë për ekonomi, në qytetin lindor, Vladivostok.

“Ne do të prodhojmë raketa të tilla natyrisht, mirëpo ne nuk do t’i pozicionojmë ato në rajone ku nuk ka sisteme raketore të ngjashme të prodhuara nga SHBA-ja”, ka shtuar ai.

Prishja e Traktatit për Armë Bërthamore ka rritur shqetësimet për garë të re armësh.

Tensionet janë rritur pasi Uashingtoni ka testuar një raketë në muajin gusht dhe ka pranuar se do të shfrytëzojë të dhënat e këtij testimi për “zhvillimin e raketave me rreze të mesme”.

Putin ka thënë në Vladivostok se ai është i shqetësuar nga komentet e Uashingtonit dhe nga mundësia e pozicionimit të këtyre raketave në Japoni dhe Korenë Jugore, meqë këto shtete janë mjaftueshëm të afërta për të sulmuar territorin rus.

Deklaratat e Putinit të enjten kanë forcuar qëndrimin e tij të mëparshëm se Rusia do të kundërpërgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara zhvillojnë raketa me rreze të shkurtër dhe mesme veprimi pas largimit nga marrëveshja për këto lloje armësh.

XS
SM
MD
LG