Ndërlidhjet

Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për krijimin e koalicionit qeverisës


Vjosa Osmani nga LDK dhe Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje
Vjosa Osmani nga LDK dhe Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pas një takimi të mbajtur të enjten janë pajtuar për fillimin e bisedimeve për krijimin e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor në Kosovë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se janë pajtuar që të qeverisin bashkë me LDK-në.

“Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Pa humbur kohë ne kemi filluar bisedimet duke nisur me idenë e përbashkët për një qeveri sa më efikase dhe një shtet sa më të fuqishëm, synimi jonë është që t’i dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga drejtësia, zhvillimi”, tha Kurti.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se te dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë.

“Sapo zhvilluam takimin tonë të parë me LVV-në për të diskutuar mundësitë e bashkë qeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve jo të detajeve më e rëndësishmja është se të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë dhe vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se do të presin numërimin edhe të votave me postë, votave me kusht para arritjes së një marrëveshje finale.

Gjatë këtij takimi, Kurti dhe Osmani kanë bërë të ditur se është diskutuar sa i përket reduktimit të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave. Po ashtu, ata kanë bërë të ditur se do të krijohen grupet punuese të të dyjave partive për të diskutuar detajet dhe për të harmonizuar programet.

Në takim ishte i pranishëm edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se do të punojnë për përafrimin e objektivave qeverisëse.

"Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri. Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së", tha Mustafa.

Para nisjes së këtij takimi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në bazë të rezultatit të zgjedhjeve pritet të jetë mandatari i ardhshëm për kryeministër të Kosovës ka thënë para medieve se ky është fillimi i qeverisë së re.

“Ky është fillimi i Qeverisë së re, po punojmë për koalicion qeveritar që do ta çkapë shtetin nga e keqja”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani janë parë si dy figurat kryesore për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ndërkaq, tani rezultati preliminar zgjedhor e favorizon për kryeministër liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Ndryshe nga e kaluara, kur pas zgjedhjeve parlamentare ishin shënuar vonesa të theksuara në konstituimin e institucioneve qendrore, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit, analistët politikë në Prishtinë nuk parashikojnë se do të ketë vonesa të mëdha.

Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto dy parti politike kanë dhënë sinjale pozitive për koalicion edhe para zgjedhjeve, andaj sipas tij, nuk pritet të ketë zvarritje rreth formimit të qeverisë e re.

Ai thotë se këto dy parti mund të sigurojnë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e ardhshme të Kosovës. Ibrahimi shton se të dy partive, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani u mbetet vetëm të ulen dhe të shohin se cila do të jetë marrëveshja ndërpartiake për formimin e qeverisë së re.

“Nuk besoj që do të ketë zvarritje të formimit të qeverisë, sepse në dy palë zgjedhjet e kaluara kur kemi pasur zvarritje të tilla, është parë se partia fituese e ka të drejtën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe mandatarit të qeverisë, prandaj dhe kjo nuk do të kontestohet nga asnjë parti politike, por edhe partitë politike kanë mësuar nga këto procese. Pra, nuk është se mund të nxjerrin ndonjë gjë (përfitim) nga ndonjë proces i tillë”, tha Ibrahimi.

“Përveç kësaj e dimë se kemi përpara një proces të vështirë të dialogut me Serbinë, një proces që pritet të fillojë shumë shpejt dhe të ketë një epilog sepse këtë e kemi parë edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që kanë vizituar Prishtinën edhe qëndrimet vendeve të Kuint-it, prandaj nuk besoj që klasa politike kosovare ka luks të bëjë vonesa të tilla”, thotë Ibrahimi.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në qeveri.

Edhe analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se nuk pret vonesa në konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Sipas tij, deri në nëntor Kosova mund të ketë qeverinë e re.

Sipas Tahirit, dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar tanimë se kryeministri i takon subjektit që ka fituar më së shumti vota dhe se mbetet vetëm harmonizimi programor.

“Zgjedhjet parlamentare treguan ndryshimin si vullnet i shprehur i popullit. Vetëvendosje doli e para, e ndjekur me pak vota ose më një apo dy deputetë më pak nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kosova nuk e ka përjetuar asnjëherë një koalicion të tillë i orientimit socialdemokrat edhe liberal-demokrat, por që e shprehin një elan të ri të qeverisjes. Probleme sa i përket krijimit të qeverisë së këtyre dy partive nuk shoh, pasi që kanë pasur partneritet për të bërë koalicion parazgjedhor dhe nuk janë marrë vesh vetëm për anën formale të caktimit të kryeministrit, mirëpo janë marrë vesh parimisht që kryeministri i takon subjektit që del e para në zgjedhje dhe kjo e zgjidh problemin”, thotë Tahiri.

Sa i përket çështjeve programore, Tahiri shton se do t’i harmonizojnë shpejtë, sepse siç thotë ai ‘do të kenë edhe ndihmën ndërkombëtare të ekspertëve’.

Në të kaluarën pas zgjedhjeve, konstituimi i institucioneve të reja në Kosovë zakonisht ka hasur në vështirësi.

Pas zgjedhjeve të vitit 2017 krijimi i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës kishte qenë një sfidë e vërtetë për koalicionin fitues të zgjedhjeve të atëhershme të 11 qershorit, i quajtur koalicioni PAN, i cili më vete kishte përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën.

Koalicioni ishte arritur të krijohej pas tre muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.

Një kohë më të gjatë të krijimit të institucioneve të reja kishte ndodhur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Në atë kohë, koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte arritur të bëhet pas gjashtë muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG