Ndërlidhjet

Dorëzohen në polici 102 kallëzime penale për krime të luftës në Gjakovë


Objekti i Policisë së Kosovës.

Shoqata për Krimet e Luftës, “Gjakova 98-99”, ka dorëzuar 102 kallëzime penale në Departamentin për Krime Lufte në Policinë e Kosovës.

Kryetarja e kësaj Shoqate, Shkëndije Hoda tha se dosjet e dorëzuara përmbajnë materiale me dëshmi dhe dokumentacione të rëndësishme që do t’iu ndihmojnë hetueseve në zbardhjen e vrasjeve dhe të dhunës së ushtruar ndaj popullatës civile nga forcat policore e paramilitare serbe në luftën e viteve 1998-99.

“Rastet janë të ndryshme. Prej maltretimeve fizike, vrasjeve dhe shkatërrimeve të pasurisë, do të thotë janë të gjitha ato çfarë na ka lënë pasoja në luftën e vitit 99”, tha Hoda.

Kjo Shoqatë edhe në të kaluarën ka dorëzuar kallëzime penale në institucionet e drejtësisë në Kosovë, mirëpo, sipas drejtueseve të saj ende nuk ka ndonjë rezultat konkret.

“Njëherë për njëherë nuk kemi asgjë. Po shihet se vullneti është shumë i madh dhe veprimi i policisë në komunën e Gjakovës është shumë i madh. Veprohet çdo ditë. Çdo ditë merren dëshmitarët në pyetje dhe kjo na bën të besojmë se një e ardhme shumë e shpejt do të jetë shumë pozitive”, tha mes tjerash Hoda.

Gjakova është një nga komunat që ka pësuar më së shumti dëme gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, pasi në këtë kohë u vranë më shumë se 1200 persona.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare – Kosovë, komuna e Gjakovës ka numrin më të madh të personave të pagjetur.

Në luftën e fundit në Kosovë konsiderohet se u vranë rreth 14 mijë persona.

XS
SM
MD
LG