Ndërlidhjet

Palmer: Qeveria e ardhshme të arrijë marrëveshjen për normalizimin me Serbinë


Palmer: Palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00

Palmer: Palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë Kosovën që t’i qaset seriozisht dialogut dhe arritjes së marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë, ka deklaruar të premten në Prishtinë, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Këto komente, ai i bëri gjatë një bashkëbisedimi me studentët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Palmer u ndal edhe te zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, të cilat sollën si rezultat fitoren e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, në garë me partitë tjera, përfshi edhe ato që ishin në pushtet gjatë mandatit të fundit.

Ai tha se SHBA mbështetë orientimin e votuesve kosovarë për ndryshime.

“Votuesit u shprehën qartë për ndryshim dhe duket se votuesit mbështetën qartë partinë që shprehu qartë parimet kundër korrupsionit si dhe parimet për zhvillimin ekonomik më të madh e më të fokusuar. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përqafojnë këto qëllime”, tha Palmer.

Ai tha se SHBA e nxitë qeverinë e re të Kosovës që krahas prioriteteve të brendshme, të merret edhe me dialogun me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit të raporteve.

“Në vend se ta shohim dialogun si shpërqendrim, konsiderojeni normalizimin si trasim për prosperitet dhe drejtësi”, tha Palmer, duke transmetuar qartë mesazhin se dialogu dhe normalizimi i raporteve me Serbinë çojnë Kosovën dhe rajonin kah e ardhmja.

Ai tha se nuk sheh përparim për integrimin e Kosovës dhe rajonit, pa arritjen e marrëveshjes së normalizimit me Serbinë.

“Shtetësia e juaj është e pakthyeshme dhe tani ju duhet normalizimi”, tha Palmer, duke ritheksuar qëndrimin e SHBA-së në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit me studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Palmerit iu shtruan pyetje kryesisht për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Nuk u takon SHBA-së që të përcaktojnë afatin kohor. Kjo u takon palëve. SHBA e mbështetë dialogun dhe këtë e themi vazhdimisht.
Ditën e marrëveshjes duam që të dy palët të arrijnë marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ne do të jemi këtu dhe do të kërkojmë që ajo që arrihet si marrëveshje të zbatohet", tha Palmer.

Ai tha se tash për tash nuk mund të spekulojë nëse dialogu do të vazhdojë në formatin e tashëm apo të një formati si konferenca e Rambujesë (Rambouillet) apo ajo e Dejtonit (Dayton).

Në Prishtinë, ai zhvilloi një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe disa nga përfaqësuesit e partive politike.

Në muajin gusht, Departamenti amerikan i Shtetit e ka emëruar Palmerin përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, me mandat për të ndihmuar integrimin e rajonit në institucionet perëndimore.

Kurse në fillim të muajit tetor, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka emëruar Richard Grenellin të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Dialogu mes këtyre dy shteteve ka nisur më 2011.

Expose: A do të mund t'i bindë SHBA-ja Kosovën e Serbinë?

Aktualisht ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është pezulluar për shkak të taksës 100 për qind që autoritetet e Kosovës kanë vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo pasi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përmendur këtë masë si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

Heqjen e taksës e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Para se të vijë në Kosovë, Palmer ka qëndruar në një vizitë edhe në Shkup. Pas takimit me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, Palmer ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

XS
SM
MD
LG