Ndërlidhjet

Thaçi: Kosova gjithmonë e gatshme për marrëveshje me Serbinë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se arrija e një marrëveshjeje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kontribuonte në paqe afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këto komente Thaçi i bëri në Samitin e Paqes së Evropës Juglindore që po mbahet në Tiranë. Ai tha se Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të përfundonte me njohje reciproke, por sipas tij, shumë raste janë humbur që të arrihet një gjë e tillë.

“Askush nuk ka mundur ta imagjinojë në verën e vitit 1999 se 20 vjet më vonë ne ende nuk do të kemi një marrëveshje politike me Serbinë për njohje reciproke dhe krijimin e rrethanave të fqinjësisë së mirë. Janë humbur raste të mëdha që ta arrijmë këtë marrëveshje, ndërsa ne kemi qenë të gatshëm gjithmonë që të shtrijmë dorën për marrëveshje. Paqja afatgjate në Ballkanin Perëndimor në masë të madhe varet nga paqja e përhershme në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, pra me një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk ka si të mos përfundojë pa njohje reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, tha presidenti Thaçi.

Në Samitin për Paqe në Evropën Juglindore ka marrë pjesë edhe udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kultivojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Ka nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore midis vendeve tona duke i bërë aktive vlerat dhe interesat e përbashkëta, drejt BE-së e NATO-s, për zhvillim, mirëqenie e siguri. Ballkani perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrën", është shprehur Kurti.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ka nisur në vitin 2011. Sipas Bashkimit Evropian, që ndërmjetëson këtë proces, në fund të dialogut, të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Aktualisht, presidenti Hashim Thaçi është ai që përfaqëson Kosovën në dialogun e Brukselit. Por, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit dhe që pritet të udhëheqë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, ka deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se dialogun me Serbinë do ta udhëheqë ai dhe jo presidenti Thaçi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG