Ndërlidhjet

Dy ushtarë amerikanë humbin jetën në Afganistan


Foto ilustrim.

Ushtria amerikane thotë se dy prej anëtarëve të saj janë vrarë në një aksident me helikopter në Afganistan.

Përplasja e helikopterit është duke u hetuar, njoftuan forcat e SHBA-së, duke shtuar se "raportet paraprake nuk tregojnë se incidenti ishte shkaktuar nga të shtënat e armikut".

Deklarata nuk jep detaje të mëtejshme.

Talibanët pretenduan se ata e kishin qëlluar dhe rrëzuar helikopterin, duke thënë se "të gjithë ata që ishin në bord u vranë".

Një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes, kundërshtoi pretendimin e talibanëve, duke thënë "nuk kishte asnjë përfshirje të zjarrit të armikut në rrëzimin e helikopterit."

"Asnjë anëtar i forcës së sigurisë afgane nuk është lënduar", tha zëdhënësi. Fawad Aman.

Grupi militant pretendon rregullisht përgjegjësinë për rrëzimet e helikopterëve dhe të droneve pa ndonjë fakt mbështetës.

Nëntëmbëdhjetë anëtarë të shërbimit amerikan kanë vdekur në Afganistan, në incidente të lidhura me luftimet që nga fillimi i vitit.

Afërsisht 13.000 trupa amerikane janë në Afganistan, si dhe mijëra forca evropiane që marrin pjesë në misionin e udhëhequr nga NATO-ja.

Në fillim të këtij muaji, gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, parashikoi që trupat amerikane, në Afganistan, do të mbeten atje edhe "për disa vjet të tjera".

Rrëzimi i helikopterit vjen një ditë pasi dy pengje perëndimore u liruan nga ana e talibanëve, në këmbim të tre të burgosurve talibanë, duke rritur shpresat për bisedime paqeje midis grupit militant dhe qeverisë në Kabul.

XS
SM
MD
LG