Ndërlidhjet

HRW: Irani fshehu masat shtypëse ndaj protestuesve


Foto ilustrim nga protestat në Iran.

Irani ka fshehur qëllimisht masat shtypëse të përdorura kundër atyre që morën pjesë në trazirat, të cilat u nxitën nga ngritja e çmimeve të karburanteve, thotë organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) në një raport të ri.

Më shumë se 140 njerëz u vranë dhe deri në 7.000 u arrestuan pas shpërthimit të trazirave në më shumë se 100 lokacione në të gjithë Iranin.

Kështu kanë bërë të ditur raportet e grupeve të ndryshme të të drejtave të njeriut dhe një ligjvënës iranian.

Në një raport të titulluar “Irani: Mbulimi i qëllimshëm i goditjes brutale” HRW thotë se pothuajse dy javë që nga fillimi i protestave, autoritetet ende nuk kanë publikuar ndonjë numër zyrtar përfundimtar të vdekjeve.

Organizata me qendër në New York i bën thirrje qeverisë iraniane "të njoftojë menjëherë numrin e vdekjeve, arrestimeve dhe ndalimeve nga protestat e fundit dhe të lejojë një hetim të pavarur lidhur me pretendimet për abuzime".

"Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë qartë forcat e sigurisë, duke shënjestruar me armë zjarri protestuesit", thuhet në raport.

"Dymbëdhjetë ditë pas shpërthimit të protestave në Iran, autoritetet nuk kanë pranuar të sigurojnë një numër të saktë vdekjesh dhe në vend të kësaj kërcënuan të burgosurit me vdekje", tha Michael Page, zëvendës-drejtor për Lindjen e Mesme në Human Rights Watch.

HRW paralajmëron qeverinë iraniane që legjislacioni ndërkombëtar për të drejtat e njeriut - në të cilin Teherani është palë - parashikon të drejtën e lirisë së shprehjes dhe mbledhjes paqësore dhe i kujton Teheranit se "përdorimi i qëllimshëm i forcës vdekjeprurëse është e lejueshme vetëm kur është e nevojshme për të mbrojtur jetën".

Menjëherë pas shpërthimit të protestave, Irani kufizoi qasjen në Internet, duke e bërë gati të pamundshme për protestuesit që të postojnë video të protestave në rrjetet sociale.

Më 20 nëntor, presidenti iranian shpalli fitoren ndaj protestave kundër qeverisë.

Zemërimi në Iran është rritur për shkak të rënies së vlerës së valutës dhe rritjes së çmimit të produkteve bazike për jetesë, prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Pas largimit nga kjo marrëveshje, SHBA-ja ka kthyer të gjitha sanksionet ndaj Iranit.

XS
SM
MD
LG