Ndërlidhjet

Për të ruajtur qetësinë në familje, gratë heqin dorë nga prona


Pamje nga Shkupi - Foto nga arkivi

Janë të shumta rastet kur gratë në Maqedoninë e Veriut, si rrjedhojë e presionit të mentalitetit, normave tradicionale dhe rrethit detyrohen të heqin dorë nga prona familjare.

Të dhënat e hulumtimit të organizatës së grave në rajonin e Tetovës kanë treguar se më shumë se 68 për qind e grave të anketuara kanë pohuar se prona e tyre familjare është e regjistruar në emër të bashkëshortit të tyre. Vetëm 13 për qind e tyre kanë thënë se janë bartëse të pronës familjare, ndërkohë që 7.7 për qind kanë deklaruar se prona familjare është në emër të të dy bashkëshortëve.

Hulumtimi në fjalë është realizuar nga Forumi i Grave në rajonin Tetovës, ku janë përshirë 300 gra të përzgjedhura në 184 vendbanime në rajonin e Pollogut.

Rezultatet e hulumtimit tregojnë se 87 për qind e grave kanë hequr dorë nga trashëgimia familjare, që të mos i prishin raportet me vëllezërit dhe babanë, si kryefamiljarë.

“Kjo çështje shihet si e mbyllur, si tabu temë që gratë të flasin për të drejtën e tyre për të qenë bartëse të pronës ose për të trashëguar pjesë nga prona familjare. Dallimi është edhe më i madh kur bëhet fjalë për gruan e viseve rurale, që janë më të mbyllura dhe gratë nga viset urbane që janë më të hapura që të flasin rreth kësaj çështjeje”, thotë Sllagjana Josifovska, koordinatore e projektit “E drejta për pronësi”,nga Forumi i Grave në Tetovë.

Ndërkaq, Rita Beadini, aktiviste për të drejtat e grave dhe një nga themelueset e Klubit Feminist në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore, për Radion Evropa e Lirë thotë se mungesa e sigurisë materiale, meqë gratë nuk janë bartëse të asnjë prone nga familja që i përkasin, bën që ato të heshtin edhe kundrejt dhunës që ushtrohet ndaj tyre.

“Një nga problemet më të mëdha që ne i kemi hasur gjatë aktiviteteve tona, do të thosha se është dhuna, e cila nuk raportohet, për fat të keq një realitet që po ndodh në Maqedoninë e Veriut. Ajo se gratë heqin dorë nga prona dhe pastaj kjo është një zinxhir që çon deri te problemet e tjera, edhe te dhuna, edhe te mosraportimi i dhunës”, thotë Beadini.

Sipas David Oberhuberit, drejtor i Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, organet shtetërore duhet t'i përforcojnë kapacitetet institucionale për vetëdijesimin e së drejtës në pronë për të dy gjinitë, por dhe krijimin e mekanizmave juridikë që këtë të drejtë të mund ta realizojnë edhe në praktikë, pa vështirësi mezbatimin e neneve që promovojnë trashëgiminë e gruas.

“Kur flasim për sistemin e jurisprudencës (gjyqësisë), duhet të flasim edhe për trajtimin e grupeve të margjinalizuara - këtu flas edhe për grupet më të mëdha, siç janë për shembull gratë, të cilat për momentin janë më pak të favorizuara nga ligji".

"Këtu punojmë me noterët. Për shembull, po qe se punohet në regjistrimin e pronës, (angazhohemi që) gratë të fitojnë më shumë mundësi për regjistrimin e pronës, gjë që do t’i bëjë ekonomikisht më të pavarura, e me këtë, më të fuqishme në shoqëri”, ka theksuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Oberhuber - drejtor i Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar që krahas aktiviteteve të shumta, ka dhe përforcimin e kapaciteteve ekonomike për gratë.

Ndryshe, organizatat joqeveritare që në fokus kanë të drejtat e grave, theksojnë se shqetësues është fakti se gratë heqin dorë nga prona familjare, sepse kjo në masë të madhe ka ndikuar që ato t'i kufizojnë veprimet e tyre si në aspektin e ngritjes profesionale, ashtu dhe në atë të fuqizimit të saj në raport me ngritjen e bizneseve vetanake.

Sipas nenit 9 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut e drejta e pronës u garantohet si burrave, ashtu edhe grave në formë të barabartë, por sipas sektorit civil, është tradita dhe normat kulturore ato që sfidojnë ligjet që garantojnë trashëgiminë e gruas.

XS
SM
MD
LG