Ndërlidhjet

Stoltenberg: Anëtarët evropianë i kanë rritur shpenzimet në mbrojtje


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Anëtarët evropianë të NATO-s i kanë rritur shpenzimet në mbrojtje për katër vjet me radhë, tha të premten sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vazhdimisht ka thënë se aleatët e Uashingtonit kanë dështuar të paguajnë pjesën e tyre për mbrojtje dhe se SHBA-ja është bartësja kryesore e barrës.

"Presidenti Trump ka të drejtë kur thotë se sa e rëndësishme është që aleatët evropianë dhe Kanadaja të shpenzojnë më shumë dhe ai e ka përcjellë këtë mesazh shumë qartë tek aleatët, disa herë".

"Por, aleatët evropianë dhe Kanadaja nuk duhet të investojnë në mbrojtje për të kënaqur presidentin Trump. Ata duhet të investojnë në mbrojtje, sepse ne po përballemi me sfida të reja, mjedisi ynë i sigurisë është bërë më i rrezikshëm", tha Stoltenberg për gazetarët në Bruksel.

Ai tha se anëtarët e NATO-s, përveç SHBA-së, i kanë zvogëluar buxhetet e mbrojtjes kryesisht para vitit 2014, porse, më pas, ata kanë nënshkruar një premtim për shpenzim në mbrojtje të 2% të bruto-prodhimit vendor deri në vitin 2024.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pranoi këtë javë se Gjermania - motori ekonomik i Evropës dhe një shënjestër e shpeshtë e kritikave të Trumpit - nuk do ta arrijë këtë qëllim deri në "fillim të viteve 2030".

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i zemëroi aleatët këtë muaj duke kërkuar një strategji të re të NATO-s, që do të përqendrohej më shumë në terrorizëm dhe më pak në pengimin e Rusisë.

NATO-ja do të mbajë samitin javën e ardhshme në Londër, ku edhe do të shënojë 70-vjetorin e themelimit.

Lexoni edhe këtë:

XS
SM
MD
LG