Ndërlidhjet

Shkup: Prokurorët e Speciales hetohen për abuzim me buxhetin


Ilustrim
Ilustrim

Ish-Prokuroria Speciale në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht prokurorët e saj që tashmë kanë kaluar në prokurorinë e rregullt janë vënë në shënjestër të kritikave të reja për keqpërdorim të buxhetit për aq kohë sa kanë qenë pjesë e ish organit special të akuzës.

Në fakt, Prokuroria për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pas dyshimeve dhe informacioneve të publikuara në opinion, ka nisur hetimin e rastit me ç’rast ka konstatuar se prokurorët specialë, përveç pagave që silleshin rreth 1300 euro në muaj, kanë marrë po aq edhe shtesa apo bonuse në muaj, që i bie çdonjëri prej tyre të ketë marrë më shumë se 22 mijë euro në vit apo rreth 100 mijë euro gjatë mandatit katërvjeçar.

“Të dhënat e para tregojnë se prokurorët specialë kanë marrë nga dy paga në muaj. Kjo tregon absurditetin se deri ku kanë shkuar me shpenzimin e parave shtetërore. Për shembull, edhe një sekretar i Prokurorisë Speciale ka marrë pagë më të lartë se presidenti i shtetit. Ata kishin të drejtë të marrin shtesa mujore, por ato nuk duhej të ishin më të larta se 35 për qind e pagës mujore”, ka deklaruar prokurori i shtetit, Lubomir Jovevski

Nga ana tjetër, ish-prokurorja Speciale, Fatime Fetai, është mbrojtur në një prononcim para mediave duke thënë se puna e tyre ishte rëndë dhe se shtesat nuk kanë qenë më të larta se ato të deputetëve që marrin për shpenzime të rrugës.

“Pagat e prokurorëve në Prokurorinë Speciale, si institucion që kishte për detyrë të ndjek krimin më të rëndë në shtet kanë qenë në shumën e 1300 eurove, apo 300 euro më shumë se pagat që merrnin prokurorët në prokuroritë e tjera. Një prokuror special ka marr në vit rreth 22 mijë euro para shtesë që besoj se nuk janë më shumë se sa parat që merrnin disa deputet si kompensim për harxhimet e rrugës”, ka deklaruar ish-prokurorja speciale, Fatime Fetai, tani prokurore në Prokurorinë e rregullt.

Ky rast ndërkohë ka nxitur reagime të shumta të partive politike dhe të njohësve të çështjeve juridike. Kryeministri Zoran Zaev ka dalë në mbrojtje të prokurorëve duke kërkuar që të mos bëhet dramë me këtë rast si dhe të mos njolloset me lehtësi të madhe puna që ajo ka bërë.

“Nuk e di se pse bëhet dramë kaq e madhe për disa mijëra euro më shumë për Prokurorinë Speciale, e cila ishte formuar me konsensus të Kuvendit. Siç e dimë, kryeministri merr 84 mijë denarë apo rreth 1400 euro kurse deputetët rreth 100 mijë apo afër 1600 euro. Prokuroria Speciale ka bërë shpërndarjen e mjeteve bazuar në buxhetin e saj dhe nuk duhet aq lehtë që të shkelet mbi këtë prokurori. Gjyqësia dhe Prokuroria edhe më tej janë të kapura dhe dëshmi për këtë janë gjitha ato procese që janë hapur e që ende nuk kanë epilog”, ka deklaruar Zaev.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase pretendon se “Prokuroria Speciale ka funksionuar si një shoqatë kriminale përmes së cilës ka përvetësuar para përmes prokurorëve të LSDM-së dhe zyrtarëve”. Nga VMRO DPMNE-ja theksojnë se prokuroria nuk funksionon profesionalisht, por në bashkëpunim me partinë e Zoran Zaev.

"Jo vetëm që kanë abuzuar me autorizimet dhe ligjet për zhvatje dhe shantazh, por në mënyrë të organizuar kanë vjedhur institucionin. Nga buxheti u grabitën miliona euro. Qindra mijëra euro u shpërndaheshin çdo muaj personave të afërt me Zoran Zaevin dhe Katica Janeva, pa asnjë bazë dhe pa asnjë kriter", ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së. Dimçe Arsovski.

Ndërkohë, ekspertët rastin e konsiderojnë si skandal dhe kërkojnë përgjegjësi.

“Pas këtij skandali unë pres që këta prokurorë menjëherë të japin dorëheqje dhe nëse këtë nuk e bëjnë atëherë Prokurori i Shtetit duhet që pa asnjë hezitim t'i suspendojë. Ata kanë bërë shkelje të Ligjit për prokurorinë speciale, të ndryshimeve dhe plotësimet e ligjit për prokurorinë publike dhe të Ligjit për pagat. Në këto dispozita ligjore shumë qartë është e përcaktuar shuma që ata mund të marrin nga buxheti për punën që bëjnë. Ata kanë bërë shkelje të rënda andaj edhe duhet të mbajmë përgjegjësi”, thotë Toni Menkinovski, njohës i çështjeve juridike.

Prokuroria Speciale ishte themeluar për hetimin e shpërdorimeve të ish-zyrtarëve të qeverisë së kaluar, por pjesëtaret e saj shpesh herë janë akuzuar për lidhje me pushtetin dhe punë të paligjshme, akuza këto që rezultuan me arrestimin e ish-kryeprokurores speciale, Katica Janeva për të cilën tashmë është ngritur akuza për përfshirje në rastin e njohur si “reket”, të zhvatjes së 1.5 milion euro nga një biznesmen maqedonas.

XS
SM
MD
LG