Ndërlidhjet

Bratisllavë: 15 vjet burgim personit që ndihmoi vrasjen e gazetarit, Jan Kuciak


Seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuares së tij.
Seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuares së tij.

Një gjykatë në Sllovaki e dënoi me 15 vjet burgim, një person të akuzuar për ndihmë në vrasjen e gazetarit hulumtues, Jan Kuciak dhe të fejuares së tij, në vitin 2018.

Vrasjet, nxitën protesta masive kundër korrupsionit, duke tronditur qeverinë.

Shpallja e këtij aktgjykimi pritet të ketë ndikim në zgjedhjet parlamentare që janë planifikuar të mbahen në muajin shkurt të vitit 2020.

Zoltan Andrusko, 42 vjeç, ishte një nga pesë të akuzuarit në këtë rast, por i vetmi që pranoi fajësinë dhe kërkoi një marrëveshje me organet e drejtësisë për të qenë dëshmitar.

Andrusko kishte rënë dakord për një dënim 10-vjeçar me prokurorët por një gjykatë, të hënën, hodhi poshtë atë marrëveshje, dhe propozoi një dënim më të lartë, të cilin i pandehuri e pranoi.

"Kjo gjykatë e konsideron si të arsyeshme dënimin e jashtëzakonshëm të zvogëluar, si dhe logjik, por gjykata, me vendimin e saj, duhet të kërkojë drejtësi jo vetëm për të akuzuarit, por për të gjitha anët e çështjes, për shoqërinë, për drejtësinë në ligj", ka thënë gjyqtarja Pamela Zaleska sipas raportimit të gazetës Dennik N.

Gjyqi për katër të akuzuarit tjerë filloi më 19 dhjetor dhe do të vazhdoj gjatë muajit janar.

Në mesin e tyre është ndërmarrësi, Marian Kocner, i cili ishte subjekt i raportimit të gazetarit Kuciak, për raste mashtrimesh që përfshinin biznesmenë të lidhur me figura politike.

Prokurorët thonë se biznesmeni Kocner kishte urdhëruar vrasjen e gazetarit Kuciak.

Ai dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët kanë deklaruar se nuk janë fajtorë, do të përballen me burgim të përjetshëm, nëse shpallen fajtorë.

Ky rast është një provë për pavarësinë e gjyqësorit në Sllovaki, duke pasur parasysh se hetimi ekspozoi lidhje midis biznesmenit Kocner, policisë dhe zyrtarëve shtetërorë.

Vrasjet shkaktuan zemërim të gjerë publik dhe e detyruan kryeministrin, Robert Fico, të japë dorëheqjen vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG