Ndërlidhjet

Shtetet e Bashkuara rrisin praninë ushtarake në Lindje të Mesme


Sulmi ndaj Ambasadës së SHBA-së në Irak.

Shtetet e Bashkuara do të vendosin 750 trupa shtesë në Lindjen e Mesme dhe ky numër do të shtohet në ditët në vijim, pasi protestuesit pro-iranianë sulmuan Ambasadën e SHBA-së në kryeqytetin irakian të Bagdadit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka kërcënuar Iranin, pasi e fajësoi këtë vend, për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Irakun fqinj.

Ambasada amerikane u sulmua nga një turmë demonstruesish, të zemëruar nga vrasja e militantëve të lidhur me Iranin, gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së më 29 dhjetor 2019.

Presidenti Trump tha se Irani "do të paguajë një çmim shumë të madh" për çdo dëm ose humbje të jetës.

"Ky nuk është një paralajmërim, por një kërcënim", tha presidenti Trump.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, më pas, njoftoi se rreth 750 ushtarë menjëherë do të vendosen në rajon.

Rreth 5.000 trupa amerikane tashmë janë prezente në Irak.

"Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë njerëzit tanë dhe interesat kudo që gjenden, në të gjithë botën", tha Esper.

Çfarë ndodhi në Bagdad?

Demonstruesit sulmuan ambasadën amerikane në Bagdad më 31 dhjetor 2019, për të dënuar sulmet ajrore të SHBA-së, dy ditë më parë, që vranë të paktën 25 anëtarë të një grupi militantësh të mbështetur nga Irani.

Forcat irakiane të sigurisë dhe rojet e kompleksit, ku është e vendosur ambasada amerikane, përdorën gaz lotsjellës dhe mjete tjera të sigurisë për të shpërndarë turmën .

Teherani mohoi që ishte prapa protestave të dhunshme.

"Zyrtarët amerikanë kanë guximin befasues për t'i atribuar Iranit protestat e popullit irakian kundër vrasjes së egër të të paktën 25 irakianëve", tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi, përmes një deklarate.

Protestuesit u panë duke mbajtur flamuj të Kataib Hizbullah, një grup paramilitar i mbështetur nga Irani, që ishte në shënjestër të sulmeve amerikane.

Sulmi ndaj Ambasadës së SHBA-së në Bagdad, mund të jetë më i dhunshmi që nga sulmi i vitit 2012 ndaj një kompleksi diplomatik në Bengazi, Libi. Katër amerikanë, përfshirë ambasadorin Christopher Stevens, u vranë në atë sulm.

XS
SM
MD
LG