Ndërlidhjet

Pavarësisht kundërshtimeve, shënohet Dita e Republikës Serbe


Shënimi i Ditës së Republikës Serbe.

Serbët e Bosnjës kanë festuar Ditën e Republikës Serbe, një festë e diskutueshme e cila është kundërshtuar ashpër nga grupet tjera etnike në Bosnje dhe Hercegovinë.

Myslimanët dhe kroatët e shohin këtë festë si diskriminuese.

Festimet shënojnë 9 janarin e vitit 1992 kur serbët shpallën shtetin e tyre në Bosnje, duke shkaktuar një luftë shkatërrimtare katër vjeçare, që vrau mbi 100,000 njerëz dhe la miliona të pastrehë.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës, në vitin 2015 e shpalli shënimin e kësaj dite si antikushtetuese, festimet megjithatë janë zhvilluar çdo vit.

Në Banja Llukë, kryeqytetin e entitetit serb të Bosnje dhe Hercegovinës, u zhvillua një paradë ceremoniale ku morën pjesë më shumë se 2.400 pjesëtarë të policisë.

Gjatë festimeve, u intonuan himnet e Serbisë dhe të Republikës Serbe, por jo edhe ai i Bosnje dhe Hercegovinës.

Në festime morën pjesë presidenti i Republikës Serbe, Zheljko Cvijanoviq dhe Millorad Dodik, anëtarë i presidencës trepalëshe të Bosnjës, i cili tha para të pranishmëve se "serbët kanë dy shtete – Republikën Serbe dhe Serbinë".

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

"Serbia respekton Bosnje-Hercegovinën, Serbia garanton marrëveshjen e Dejtonit [që përfundoi luftën 1992-1995], por Serbia mbi të gjitha e do Republikën Serbe", tha Vulin.

Përmes një deklarate të lëshuar në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se "Serbia gjithmonë do ta dojë dhe mbështesë Republikën Serbe, duke respektuar integritetin e Bosnje dhe Hercegovinës".

Myslimanët dhe kroatët e Bosnjës kanë këmbëngulur që festimet nuk përfaqësojnë të gjitha grupet etnike që jetojnë në Republikën Serbe.

XS
SM
MD
LG