Ndërlidhjet

Kosova ndan 250.000 euro për Koalicionin Global kundër IS-it


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 250.000 eurove për Koalicionin Global kundër grupit militant ekstremist, i ashtuquajtur Shteti Islamik (IS).

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se duke qenë pjesë e këtij koalicioni global, Kosova ka kryer këtë obligim financiar.

Sipas tij, shteti i Kosovës është i gatshëm të kryej edhe obligim ushtarak ndaj këtij koalicioni.

“Koalicionin Global kundër ISIS-it e përbëjnë 31 shtete, ku përfshihet edhe Kosova. Fatkeqësisht edhe Kosova është prekur nga kjo luftë, ku disa qytetarë kanë shkuar atje. Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë koalicion, ne i kryejmë obligimet. Kosova është e gatshme të kryej obligimin ushtarak, policor, inteligjencës e obligime logjistike ndaj këtij koalicioni”, ka thënë Haradinaj.

Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, e cila përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka falenderuar Kosovën për mbështetjen e palëkundur në luftën kundër IS-it.

"Ne falenderojmë Kosovën për mbështetjen e palënkundur dhe anëtarësinë në koalicionin për luftimin e ISIS-it", thotë ambasada amerikane.

Edhe dy vite më parë, Qeveria e Kosovës, kishte ndarë 100.000 euro në përkrahje të këtij koalicioni.

Në muajin prill të vitit 2019, Kosova u bë ndër vendet e para që ktheu në Kosovë 110 qytetarë të saj të cilët kishin mbetur në kampe të ndryshme në Siri.

Departamenti amerikan i Shtetit, më 2 nëntor 2019, publikoi Raportin për Terrorizmin ku përmblidhen arritjet dhe sfidat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për të luftuar dhe mposhtur organizatat terroriste gjatë vitit 2018.

Megjithë arritjet kundër organizatës terroriste Shteti Islamik, raporti thotë se Evropa vazhdon të përballet me një numër kërcënimesh nga organizata të huaja terroriste, nga luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, nga terrorizmi i kultivuar brenda vendit, si dhe nga terroristët e mbështetur nga Irani.

Në raport thuhet se Kosova vazhdoi të luftojë rrezikun e terrorizmit nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG