Ndërlidhjet

Paqartësi rreth rrëzimit të aeroplanit në Afganistan


Provinca Ghazni ku raportohet të jetë rrëzuar aeroplani.

Një aeroplan pasagjerësh u rrëzua në Afganistan, por detajet rreth incidentit mbeten të paqarta.

Zyrtarët thanë se incidenti ndodhi të hënën rreth orës 1:10, sipas kohës lokale, në qarkun Deh Jak, që është një zonë e largët në jugperëndim të Kabulit.

Disa orë pas incidentit, nuk ka ende raporte për viktimat.

Duke u thirrur në informacionet fillestare, guvernatori i provincës Ghazni, Wahidullah Kalimzai, i tha Radios Evropa e Lirë se aeroplani i përkiste kompanisë kombëtare ajrore Ariana Airlines dhe se në bord gjendeshin rreth 83 persona.

Kompania shtetërore mohoi se avioni i saj është rrëzuar.

"Një avion është rrëzuar, por ai nuk i përket kompanisë Ariana, sepse dy fluturimet e menaxhuara nga Ariana sot, nga Herati në Kabul dhe nga Herati në Delhi, janë kryer me sukses", tha drejtori i përkohshëm i Ariana-s, Mirwais Mirzakwal.

Edhe Autoritetei i Aviacionit Civil i Afganistanit tha se "asnjë fluturim komercial" nuk është rrëzuar.

Fotografi dhe video që qarkullojnë online, tregojnë rrënoja të supozuara të aeroplanit të rrëzuar.

Rrethi Deh Jak, ku thuhet se është rrëzuar aeroplani, është një zonë e kontrolluar nga talibanët.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se grupi militant nuk e ka lokalizuar ende avionin.

XS
SM
MD
LG