Ndërlidhjet

Gjyqi kundër Trumpit: Demokratët nuk i sigurojnë votat për të thirrur dëshmitarët


Ilustrim.

Demokratëve në Shtetet e Bashkuara u është dhënë një goditje e madhe në përpjekjet e tyre për të thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

Ata kishin nevojë për katër vota të senatorëve republikanë, për të votuar në mënyrë që të lejohet paraqitja e dëshmitarëve, por njëri nga senatorët tha se nuk do ta mbështes kërkesën e demokratëve.

Senatori, Lamar Alexander, tha se demokratët e kanë dëshmuar se Trump kishte vepruar në mënyrë të papërshtatshme, por kjo nuk ishte një vepër për shkarkim.

Njoftimi i hap rrugën lirimit të mundshëm të presidentit nga Senati qysh ditën e premte.

Në Senatin me 100 ulëse, gjenden 52 republikanë.

Për çfarë akuzohet Trumpi?

Presidenti amerikan akuzohet për abuzim të pushtetit në lidhje me veprimet e tij kundrejt Ukrainës, si dhe për pengim të punës së Kongresit, i cili menjëherë ka nisur hetime lidhur me veprimet e Trumpit.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë thënë se Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milionë dollarëve për Ukrainën, dhe ftesën për vizitë në Shtëpinë e Bardhë për presidentin e ri ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, duke i kërkuar Kievit që të nisë hetime kundër një rivali politik.

Trump ka kërkuar nga Ukraina të hetojë Joe Bidenin, i cili është aktualisht një prej kandidatëve kyçë në garën e demokratëve për ta sfiduar Trumpin.

Përveç ish nën-presidentit amerikan, Trump ka kërkuar hetime edhe për djalin e Bidenit, Hunter.

Trump i ka mohuar akuzat dhe gjyqin ndaj tij e ka quajtur "gjueti shtrigash".

XS
SM
MD
LG