Ndërlidhjet

Kryetari i Turingenit jep dorëheqje pas kritikave për mbështetjen që mori


Thomas Kemmerich.

Thomas Kemmerich, kryetari i sapozgjedhur i landit gjerman, Turingen me ndihmën e partisë të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, ka thënë se do të japë dorëheqje për t’i hapur rrugën procesit të ri zgjedhor.

“Dorëheqja është e pashmangshme”, ka thënë ai.

Zgjedhja e Kemmerichut ka nxitur reagime të ashpra, derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se fitorja e tij është e “pafalshme” dhe se procesi duhet të pezullohet.

Kemmerich u ka thënë gazetarëve të enjten se partia e tij e Demokratëve të Lirë, ka bërë kërkesë për shpërndarje të parlamentit në Erfurt.

“Ne duam zgjedhje të reja, për të larguar shenjat e mbështetjes së parties, Alternativa për Gjermaninë në zyrën e kryetarit”, ka thënë ai.

Votimi i së mërkurës është përshkruar si tërmet politik në Gjermani, pasi partitë e mëdha kanë refuzuar në të kaluarën të bëjnë marrëveshje me këtë parti.

Duke folur gjatë një vizitë në Afrikën Jugore, kancelarja Merkel ka thënë se zgjedhjet ne Turingen duhet të zhvillohen sërish.

“Ka qenë ditë e keqe për demokracinë, një ditë që ka thyer traditën e gjatë dhe krenare të vlerave të Partisë Demokristiane (CDU). Kjo nuk ka të bëjë aspak me atë që beson CDU-ja”, ka deklaruar ajo.

Shumë politikanë tjerë kanë bërë thirrje për dorëheqjen e Kemmerichut nga pozita që ka fituar, përfshirë kryetaren e partisë CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Kritikët e Kemmerich-ut kanë qenë të shokuar me faktin se dy partitë e qendrës së djathtë kanë bërë marrëveshje me partinë që ka qasje ekstreme ndaj imigrimit, lirisë së shprehjes dhe shtypit.

Partia, Alternativa për Gjermaninë, ka ligjvënës në të 16 parlamentet e landeve gjermane.

Në nivel kombëtar ajo mban 89 ulëse në Dhomën e Ulët të parlamentit nga 709 sa janë në total, duke e bërë atë partinë më të madhe opozitare.

XS
SM
MD
LG