Ndërlidhjet

Irani paralajmëron se do të lansojë një satelit


Sateliti Zafar

Një ministër i qeverisë iraniane ka njoftuar se Irani do të lansojë një satelit më 9 shkurt, si pjesë e një programi të cilin Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë pjesë të zhvillimeve bërthamore.

Një ditë më parë u raportua se lansimi do të shtyhet për një kohë të pacaktuar.

Por, Ministri i Informimit dhe Komunikimit Mohammad Javad Ayari-Jahromi, tha mëngjesin e së dielës se “Sateliti Zafar do të vendoset në orbitë më shpejtësi prej 7,400 kilometrash.

"Fillon numërimi për lansimin e Satelitit Zafar në orët në vazhdim.. Në emër të Zotit”, tha Jahromi në Twitter.

Të paktën dy lansime të satelitëve iranianë kishin dështuar vitin e kaluar.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara që kishin vendosur presion maksimal ndaj Iranit që nga koha e tërheqjes nga marrëveshja bërthamore më 2018, kanë theksuar se programi satelitor i Tehranit është pjesë e zhvillimeve të raketave balistike.

Irani ka kundërshtuar këto akuza.

Një ditë më parë, lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei bëri thirrje për të forcuar mbrojtjen e Iranit “për t’i dhënë fund kërcënimeve dhe të pengojë luftërat”.

Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump, kishte urdhëruar muajin e kaluar dy sulme ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë iranianë.

Në njërin nga sulmet ajrore afër aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit, u vra gjeneral-major Qasem Soleimani, lider i forcave elite Quds.

Irani ishte kundërpërgjigjur me sulme ajrore në bazat irakiane ku qëndron ushtria amerikane, duke plagosur 64 persona si dhe duke shkaktuar pasoja post-traumatike të trurit.

Forcat iraniane po ashtu rrëzuan një aeroplan ukrainas me pasagjerë që po udhëtonte nga aeroporti i Tehranit, duke lënë të vdekur së paku 176 persona.

XS
SM
MD
LG