Ndërlidhjet

Disa të vrarë nga sulmi në një akademi ushtarake në Afganistan


Afganistan

Të paktën pesë persona janë vrarë gjatë një sulmi vetëvrasës, që kishte në shënjestër një akademi ushtarake në Kabul të Afganistanit.

Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit i tha Radios Evropa e Lirë se nga shpërthimi kanë vdekur pesë persona, por zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi tha se numri viktimave është gjashtë.

Në mesin e të vrarëve janë katër pjesëtarë të ushtrisë dhe dy civilë.

Rahimi tha se 12 persona të tjerë u plagosën, përfshirë pesë civilë.

Asnjë grup nuk mori përsipër përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit sipas kohës lokale, derisa punonjësit dhe kadetët po hynin në akademi.

Akademia ka qenë cak i disa sulmeve në të kaluarën, përfshirë një sulm në maj të vitit të kaluar, përgjegjësinë e të cilit e mori grupi ekstremist Shteti Islamik (IS).

Sulmi i fundit vjen ndërsa negociatorët amerikanë dhe talibanët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje të mundshme paqeje, për t'i dhënë fund luftës gati dy dekadëshe.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, e quajti sulmin "një krim kundër njerëzimit" dhe përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim mbarëkombëtar.

Mijëra të vdekur në përpjekjet për rindërtimin e Afganistanit

Aktivitetet e rindërtimit dhe të stabilizimit në Afganistan kanë lënë 5.135 njerëz të vrarë ose të plagosur, gjatë një periudhe prej 17 vjetësh pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001.

Sipas një raporti të Inspektorit të Përgjithshëm të SHBA-së për Rindërtimin në Afganistan (SIGAR), 2.214 njerëz janë vrarë gjatë realizimit të projekteve kryesisht të udhëhequra nga SHBA-ja, për të rindërtuar vendin.

SIGAR, që monitoron shpenzimet prej miliarda dollarësh të cilat Uashingtoni i shpenzon në vendin e shkatërruar nga lufta, tha se vdekjet ishin rezultat i sulmeve të talibanëve dhe grupeve tjera militante nga viti 2002 deri më 2018.

Hulumtimi gjithashtu identifikon 1.182 individë që ishin rrëmbyer ose u zhdukur, gjatë kësaj periudhe.

Më shumë se 70 për qind e të vrarëve ose të plagosurve dhe rreth 86 përqind e atyre që janë rrëmbyer ishin afganë, kryesisht civilë, sipas raportit të titulluar "Kostoja njerëzore e rindërtimit".

Vdekjet përfshijnë 284 amerikanë, civilë dhe ushtarakë.

XS
SM
MD
LG