Ndërlidhjet

Shqipëria mbledh 1.15 miliard euro nga Konferenca e Donatorëve


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen pas nënshkrimit të marrëveshjes për donacion.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen pas nënshkrimit të marrëveshjes për donacion.

Në Konferencën e Donatorëve që u mbajt në Bruksel, Shqipëria ka mbledhur 1.15 miliard dollarë ndihmë për t’u rekuperuar nga pasojat e tërmëtit të 26 nëntorit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se donatorët ndërkombëtarë kanë ofruar 1.15 miliard euro për t’i ndihmuar Shqipërisë, pas tërmetit që ka dëmtuar një pjesë të këtij vendi në nëntor të vitit të kaluar.

“Lajm i mirë për popullin e Shqipërisë: Ne kemi tejkaluar shënjestrën tonë për rindërtim të Shqipërisë dhe kemi mbledhur 1.15 miliard euro”, ka thënë von der Leyen në një postim në Tëitter, pas konferencës së mbajtur të hënën në Bruksel

Ajo ka thënë se aty përfshihen edhe 400 milionë euro të kontributeve të Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se për Shqipërinë do të ishte sukses i madh sikur të arrinin deri në 50% të shumës prej rreth 1 miliard eurove sa është dëmi total që shkaktoi tërmeti.

“Kjo është përtej imagjinatës sime më të shfrenuar”, ka thënë Rama.

Ai shtoi se e gjithë bota u tregua solidare me Shqipërinë pas fatkeqësisë natyrore që ajo pësoi.

“Pa dyshim, nuk matet me vlerën e asaj që çdokush dha, por matet me atë të solidaritetit të pamatshëm dhe nevojën për të treguar prej zemrës dhe përmes çdo kondributi për të treguar përmes pranisë e përmes çdo vlere e kontribut për të qenë pjesë e kësaj përpjekjeje të përashkët. Është një nga momentet kur duket se diçka magjike ka ndodhur”, u shpreh Rama.

Në mesin e pjesëmarrësve në konferencë kanë qenë përfaqësues të BE-së, të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Shtetet e Bashkuara.

Po ashtu, shuma të mëdha të parave dhanë edhe Turqia dhe vendet arabe, si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.

Shqiperia synonte që gjatë kesaj konference të mbledhë se paku 350 milionë euro, përmes investimeve, huamarrjes, kredive të buta dhe ndihmës direkte në rindërtimin e vendeve të prekura.

Shuma e ndarë nga shtete, organizata e biznese nga gjithë bota ështe ne dhënë në formë huaje, investimesh, kredi të buta e grante.

Mjetet e akumuluara do të përdoren për rindërtim të shtëpive, shkollave, spitaleve dhe kishave e xhamive që u dëmtuan nga tërmeti. Ato po ashtu do të shkojnë në rehabilitim të infrastrukturës, në rrugë dhe ujësjellës.

Komisioni Evropian ka vendosur më herët gjatë ditës ka ndarë 100 milionë euro. Kjo shumë i shtohet donacionit prej 15 milionë eurove që Komisioni i dha për Shqipërinë menjëhere pas tërmetit.

Ndër vendet që dhanë ndihmën më të madhe janë Italia me 65 milionë euro, Franca me 60 milionë, Gjermania me 11 milionë.

Qeveria amerikane do të japë 3.9 milionë dollarë në mënyrë transparente që të shkojnë te njerëzit që kanë më shumë nevojë. Në total, ndihmat që SHBA do t’i ndajë do të jenë 5 milionë dollarë.

Emiratet e Bashkuara Arabe bënë të ditur se do të ndimojnë në ndërtim të shtëpive me vlerë deri në 70 milionë euro.

Turqia i ka ndarë rreth 46 milionë euro, të cilat do të shkojnë në Shqipëri në formë të granteve.

Shuma më e madhe e prava që u nda në këtë Konferencë ishte nga Grupi Islamik i Zhvillimit i cili ndau 365 milionë euro në programe financimi, 50 milionë prej të cilave tha se janë grante.

Tërmeti me magnitudë 6.3 ballë të Rihterit, i cili ka goditur Shqipërinë më 26 nëntor, ka qenë më i fuqishmi që ka goditur këtë vend gjatë dekadave të fundit dhe për pasojë ka lënë 51 persona të vdekur, qindra të lënduar dhe mijëra persona të pastrehë, si pasojë e shembjeve, dëmtimeve serioze dhe rrezikshmërisë që paraqesin vendbanimet e tyre.

*Video nga arkivi: Dyzetetetë orët e tërmetit

XS
SM
MD
LG