Ndërlidhjet

Irani nuk do t'i dorëzojë kutitë e zeza të aeroplanit ukrainas


Vendi ku u rrëzua aeroplani ukrainas në Teheran.
Vendi ku u rrëzua aeroplani ukrainas në Teheran.

Irani nuk do t’ia dorëzojë asnjë vendi tjetër, kutinë e zezë të aeroplanit ukrainas të rrëzuar në Teheran, kanë thënë zyrtarët qeveritarë.

Aeroplani ukrainas është rrëzuar pak pasi ishte nisur nga Teherani më 8 janar. Shumica e viktimave kanë qenë iranianë dhe shtetas kanadezë.

Tri ditë më vonë, Teherani ka thënë se aeroplani është rrëzuar “gabimisht” nga një raketë, në kohën e rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha javën e kaluar se duhej të bëhej një hetim i plotë dhe i pavarur për rrëzimin e aeroplanit.

Rrëzimi i aeroplanit ndodhi në kohën kur forcat e mbrojtjes ajrore të Iranit ishin në gatishmëri të lartë, pas një sulmi raketor balistik iranian kundër forcave amerikane në Irak.

Sulmet erdhën disa ditë pasi komandanti më i shquar ushtarak i Iranit, Qasem Soleimani, u vra në një sulm me avion amerikan në Bagdad.

"Ne kemi të drejtë ta lexojmë vetë kutinë e zezë. Ne kemi të drejtë të jemi të pranishëm në çdo ekzaminim të kutisë së zezë", tha ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif.

Sidoqoftë, Irani është në diskutime me vendet e tjera, veçanërisht me Ukrainën, rreth hetimit, tha ai.

Më 20 janar Ukraina i ka bërë thirrje Iranit që t’ia kthejë kutitë e zeza të aeroplanit ukrainas me pasagjerë, i cili është rrëzuar më herët gjatë këtij muaji nga një sulm iranian duke lënë të vdekur 176 persona.

Kutitë e zeza janë pajisje që regjistrojnë të gjitha të dhënat e një fluturimi. Ato nuk shkatërrohen edhe në raste kur aeroplanët rrezohen.

XS
SM
MD
LG