Kina e ka tërhequr akreditimin ndaj tre gazetarëve të Wall Street Journal pasi gazeta nuk pranoi të kërkonte falje, për një artikulli që e quante Kinën "njeriun vërtetë të sëmurë të Azisë", tha ministria e Jashtme.
"Populli kinez nuk i mirëpret mediat që publikojnë deklarata raciste dhe sulmojnë me qëllim Kinën", tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Geng Shuang Geng.
Ai nuk i identifikoi gazetarët.
Wall Street Journal tha se zëvendës shefi i zyrës në Pekin, Josh Chin dhe reporterët Chao Deng dhe Philip Wen, ishin porositur të largoheshin brenda pesë ditësh.
Chin dhe Deng janë shtetas amerikanë, ndërkaq Wen - australian.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dënoi veprimin e Kinës.
“Vendet e pjekura, përgjegjëse e kuptojnë që një shtyp i lirë raporton fakte dhe shpreh mendime. Përgjigja e saktë është të paraqisni kundër argumente, jo të kufizoni shprehjen e lirë", tha Pompeo në një deklaratë.
Klubi i Korrespondentëve të Huaj në Kinë gjithashtu shprehu "shqetësim të thellë” dhe e dënoi ashpër këtë veprim.
"Aksioni i ndërmarrë kundër korrespondentëve të kësaj gazete është një përpjekje ekstreme dhe e dukshme nga autoritetet kineze për të frikësuar organizatat e huaja të lajmeve", tha kjo organizatë.
Të huajve nuk u lejohet të punojnë si gazetarë në Kinë, pa akreditime zyrtare.