Ndërlidhjet

Së paku 10 persona vriten në dy sulme në Gjermani


Ilustrim.
Ilustrim.

Së paku 10 persona kanë vdekur si pasojë e dy sulmeve me të shtëna me armë zjarri në qytetin perëndimor gjerman, Hanau, kanë raportuar mediat lokale.

Pesë persona është raportuar të jenë plagosur, pasi një sulmues i panjohur ka sulmuar dy lokale, në të cilat gjendeshin kryesisht kurdë.

I dyshuari u gjet më vonë i vdekur në shtëpinë e tij, së bashku me trupin e një personi të dytë.

Policia thotë se i dyshuari vrau veten.

Revista Bild raporton se ai ishte një shtetas gjerman dhe kishte licencë për armë zjarri.

Motivi i sulmeve është i paqartë. Hetimet po vazhdojnë.

Prokurorët federalë gjermanë, të cilët hetojnë krimet përfshirë terrorizmin, e kanë marrë përsipër çështjen.

Një zëdhënës i tha agjencisë së lajmeve AFP se krimi kishte "shenja të një motivi ksenofobik".

Sipas Bild, i dyshuari ka shprehur pikëpamje të ekstremit të djathtë në një letër dhe një video, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Hanau, gjendet 25 kilometra në lindje të Frankfurtit.

Gjermania ka pasur një numër sulmesh të lidhura me terrorizmin vitet e fundit.

Por, gjithashtu ka pasur një numër incidentesh serioze që fillimisht u etiketuan si terrorizëm, por rezultuan të ishin të lidhura me krimin e organizuar ose një lloj konflikti familjar.

Kjo është arsyeja pse autoritetet kanë qenë shumë të kujdesshëm për të shpallur përfundime të shpejta për motivet e krimit.

Reagime pas sulmit

Kryetari i Hanaut, Claus Kaminsky, i tha revistës Bild se kishte qenë një "natë e tmerrshme", duke shtuar se ngjarja do të mbetet një kujtim i trishtuar.

Katja Leikert, e cila përfaqëson Hanau në parlamentin gjerman, Bundestag, tha: "shpresojmë që të lënduarit të shërohen shpejt. Ishte një ngjarje e tmerrshme për të gjithë ne".

Në rrjetin social, Twitter, zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert e quajti incidentin “një krim të tmerrshëm”.

Ligjet për mbajtjen e armëve në Gjermani janë ndër më të rreptat në botë dhe janë fuqizuar më shumë gjatë viteve të fundit, pasi kanë ndodhur disa incidente me të shtëna masive.

XS
SM
MD
LG