Ndërlidhjet

Gjermania mirëpret vendimin e Kurtit për taksën


Flamuri i Gjermanisë. Fotografi nga arkivi.
Flamuri i Gjermanisë. Fotografi nga arkivi.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt ka thënë se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të nisur heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, është një hap i rëndësishëm që mund të çojë drejt rinisjes së dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Hap i rëndësishëm dhe kurajoz nga kryeministri Albin Kurti, vetëm disa javë pasi mori detyrën. Tani kjo duhet të çojë në një proces konstruktiv të heqjes së barrierave tregtare dhe të lëvizjes së lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe riangazhim në dialog që çon në normalizimin e plotë”, ka shkruar ambasadori gjerman, Heldt në një postim në Twitter.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se nga data 15 mars, do të hiqet tarifa 100 për qind për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ai ka thënë se nëse Serbia zotohet për heqjen e barrierave jotarifore dhe ndalë fushatën për çnjohjen e Kosovës, nga 1 prilli, taksa prej 100 për qind do të hiqet prej një periudhë prej 90 ditësh. Siç ka thënë Kurti në një konferencë për media, nëse Serbia nuk reflekton gjatë kësaj periudhe, Kosova nga data “15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, ndërkaq që do të vazhdohet edhe zbatimi i filluar më 1 prill i reciprocitetit”.

Ky vendim i kryeministrit Kurti nuk është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori amerikan në Gjermani, njëherësh i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, e ka cilësuar si “gabim” masat gjysmake të Kurtit, në raport me taksën.

“Ne nuk mbështesim masat gjysmake të kryeministrit Kurti. Pozicioni ynë është i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti po bën gabim serioz”, kishte deklaruar Grenell, pas njoftimit të Kurtit për taksën.

Por, Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin eKurtit për nisjen e heqjes së taksës.

“Ky hap mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një hapje për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, është thënë në një deklaratë të Peter Stano, zëdhënësit të Përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell.

Taksa prej 100 për qind ishte vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e kaluar e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Pas vendosjes së taksës, Serbia ka refuzuar që të vazhdojë dialogun me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Brukseli dhe Uashingtoni në vazhdimësi i kanë kërkuar Kosovës që të heqë taksën, në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të bisedimeve.

XS
SM
MD
LG