Ndërlidhjet

Shkup: Rriten rastet me koronavirus, mbyllen shkollat


Është rritur në 7 numri i personave të infektuar me koronavirusin e ri në Maqedoninë e Veriut. Pas drejtores së Klinikës së Lëkurës në Shkup, me COVID-19 janë diagnostikuar edhe tre persona të tjerë, të cilët ishin kthyer nga Italia së bashku me çiftin bashkëshortor nga Dibra, të cilët të premten po ashtu rezultuan pozitiv me koronavirus.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim të martën për mbylljen e të gjitha institucioneve arsimore në nivel vendi për dy javë.

Analizat janë kryer edhe ndaj tre bashkudhëtareve të tjera, por që kanë dalë me rezultate negative. Ndërkohë, në izolim shtëpiak po mbahen rreth 200 persona të tjerë të cilët besohet të kenë qenë në kontakt me drejtoreshën e Klinikës të sëmundjeve të lëkurës e cila është e infektuar.

Bëhet fjalë për kolegë të saj mjekë dhe i tërë personeli tjetër mjekësor, por edhe pacientët që ndodheshin në klinikë e cila nga dita e hënë edhe është mbyllur deri në një vendim të ri.

“Do të merren masa për drejtoreshën, tani jemi në periudhë parazgjedhore dhe juridikisht ajo nuk mund të shkarkohet, por në rastin e parë të mundshëm kjo do të ndodhë. Përgjegjësi do të ketë për të gjithë që nuk do të zbatojnë masat e duhura. Klinika e sëmundjeve të lëkurës do të jetë e mbyllur për 14 ditë”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe duke bërë thirrje për kujdes dhe situata e krijuar të mos shfrytëzohet për qëllime politike tani kur vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Informacionet e rreme shkaktojnë panik. Konsideroj se situata e krijuar nuk duhet të shfrytëzohet për fitimin e pikëve politike. Ne po bëjmë gjithçka që ta mbajnë situatën nën kontroll, institucionet janë në gjendje gatishmërie dhe do të reagojmë varësisht situatës. Ajo çfarë duhet të bëjnë qytetarët është që të zbatojnë të gjitha masat dhe rekomandimet të cilat po i përsërisim në vazhdimësi”, ka theksuar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pasi partia opozitare maqedonase VMRO DPMNE drejtoi një sërë akuzash ndaj institucioneve për “mungesë të seriozitetit dhe të masave adekuate për përballje me virusin”. Kjo parti ka kërkuar dorëheqjen e ministrit.

“Ata që duhet të mbrojnë qytetarët nga përhapja e koronavirusit janë bërë eksportuesit kryesor të virusit. Ky mund të jetë fillimi i një kolapsi të plotë të sistemit shëndetësor. Nëse Qendra Klinike Universitare “Nënë Tereza” bie, i gjithë sistemi shëndetësor do të shembet. Qytetarët do të mbeten pa kujdes shëndetësor. Përveç Klinikës së sëmundjeve të lëkurës, ka edhe klinika tjera ku dyshohet të ketë të infektuar me koronavirus”, ka deklaruar Dafina Stojanoska, anëtare e kryesisë së VMRO DPMNE-së.

Paraqitja e rasteve të koronavirusit, në veçanti ai me drejtoren e klinikës ka nxitur reagime të shumta në opinion, por edhe panik nëse institucionet vërtetë janë në gjendje të marrin masa për pengimin e përhapjes së sëmundjes.

“Ky rast flet për një konstrukt mendor dhe për një psikologji të jo seriozitetit ndaj detyrës, ndaj vendit të punës, dhe ndaj mjedisit në të cilin punon një individ. Kjo është një papërgjegjësi e cila në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet. Kjo vlen për shtresën më të lartë sociale, por edhe për shtresat tjera, për qytetarët e rëndomtë i cili duhet të jetë më i kujdesshëm ndaj rasteve të këtilla të epidemive globale që nuk pyesim për adresë dhe që rrezikojnë çdokënd”, thotë sociologu Ali Pajaziti.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut si masë mbrojtëse ka vendosur ndalimin e të gjitha tubimeve dhe ngjarjeve të mëdha publike, si dhe zhvillimin e ndeshjeve sportive pa tifozë deri më 13 mars. Nuk përjashtohet mundësia e anulimit edhe të ndeshjes futbollistike me kombëtaren e Kosovës në futboll, e paraparë të zhvillohet në Shkup, më 26 mars.

Rasti i parë me koronavirus më Maqedoninë e Veriut, është regjistruar më 26 shkurt, te një grua që sapo ishte kthyer po ashtu nga Italia.

XS
SM
MD
LG