Ndërlidhjet

Trump pezullon të gjitha fluturimet nga Evropa në SHBA


Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për kufizimet e reja në udhëtim nga Evropa drejt Shteteve të Bashkuara, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

Në një adresim televiziv, ai ka thënë se të gjitha udhëtimet nga Evropa do të pezullohen për 30 ditët e ardhshme.

Mirëpo ai ka thënë se kufizimet “e fuqishme por të domosdoshme”, nuk do të zbatohen për Mbretërinë e Bashkuar, ku janë infektuar 460 persona me këtë virus.

Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është raportuar për 1,135 persona të infektuar, ndërkohë që 38 kanë vdekur nga kjo sëmundje.

“Për të parandaluar ardhjen e rasteve të reja në tokën tonë, ne do të pezullojmë gjithë udhëtimin nga Evropa”, ka thënë Trump.

“Rregullat e reja do të nisin së zbatuari nga mesnata e së premtes”, ka shtuar ai.

Trump ka thënë se Bashkimi Evropian “ka dështuar të marrë masa parandaluese” sikurse SHBA-ja.

Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

Ai ka folur disa orë pasi Italia – vendi i prekur më së keqi jashtë Kinës nga virusi- ka prezantuar kufizime shtesë.

Ky shtet do të mbyllë të gjitha dyqanet, përveç atyre ushqimore dhe barnatoreve, në kuadër të masave të izolimit kombëtar.

Trump ka thënë se pezullimi i udhëtimit do të “zbatohet edhe për shkallën e jashtëzakonshme të tregtisë” që zhvillohet nga Evropa drejt tokës amerikane.

Ai po ashtu ka prezantuar planet për të ofruar miliarda dollarë kredi për bizneset e vogla, dhe i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë masat për lirim nga taksat, teksa synon të parandalojë dëmet e mëdha ekonomike që mund të shkaktojë situata e krijuar me këtë koronavirus.

“Ne jemi duke shfytëzuar fuqitë e plota të qeverisë federale dhe sektorit privat për të mbrojtur popullin amerikan”, ka thënë ai.

Cila është situata në SHBA?

Zyrtarët kanë thënë se rreziku i infektimit ka qenë i ulët në përgjithësi në publikun amerikan, mirëpo shqetësimi është thelluar pas shtimit të numrit të rasteve të reja më herët gjatë këtij muaji.

Përpjekjet për parandalim të përhapjes kanë qenë të mëdha.

Disa trupa ushtarake janë pozicionuar në Nju Roshell, në veri të qytetit të Nju Jorkut, ku besohet se ka shpërthim të virusit.

Garda Kombëtare do të ofrojë atje ushqim për disa individë, të cilëve u është thënë të izolohen atje.

Guvernatori i Uashingtonit ka ndaluar organizimet e mëdha publike në disa zona. Aktualisht në këtë vend kanë vdekur 24 nga 38 personat, për të cilët është raportuar në këtë shtet.

Përmes një vendimi të pashembullt, Liga Kombëtare e Basketbollit (NBA) ka njoftuar që do të pezullojë sezonën pas lojërave që janë zhvilluar të mërkurën mbrëma. Ky lajm ka ardhur pasi një lojëtar është prekur nga virusi.

Mjeku, Anthony Fauci, drejtor në Institutin Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektuese i ka thënë Kongresit se situata “do të përkeqësohet” dhe varet nga aftësia për të izoluar të prekurit.

Shpenzimet e larta mjekësore e bëjnë këtë virus problematik në SHBA, pasi shumë amerikanë u ikin kontrolleve mjekësore për shkak të çmimeve të pavolitshme për ata.

Një tjetër shqetësim përbën edhe mungesa e ditëve të pushimit mjekësor, ashtu sikurse edhe numri i testeve të mjaftueshme.

Mirëpo nënpresidenti amerikan, Mike Pence, që është i angazhuar në taskë forcën për koordinimin e përgjigjeve të ekipit ndaj krizës, ka thënë se “secili amerikan mund të testohet, pa kufizime”, dhe se kompanitë e sigurimit janë zotuar për të kompensuar shpenzimet.

Çfarë situate ekziston në botë?

Të mërkurën, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se shpërthimi i koronavirusit të ri përbën pandemi.

Pandemia është sëmundje që shpërndahet në shumë shtete në të njëjtën kohë.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se numri i rasteve të prekura jashtë Kinës është rritur për 13 herë më shumë në dy javë. Ai ka thënë se është “tejet i shqetësuar për shkallën alarmuese të mungesës së veprimit”.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte më pas ka njoftuar për përshkallëzim të izolimit që po vazhdon të zbatohet në Itali.

Ai ka thënë se të gjitha dyqanet, përfshirë baret, floktaritë, restorantet dhe kafiteritë që nuk mund të sigurojnë distancë njëmetërshe në mes të konsumatorëve, do të mbyllen deri më 25 mars.

Italia ka raportuar për mbi 12,000 persona të prekur me këtë virus, derisa 827 persona kanë vdekur në këtë shtet.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG