Ndërlidhjet

Covid-19: 23 raste pozitive në Shqipëri


Shqipëri

Përmes një njoftimi për media, Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka bërë të ditur se në Shqipëri janë 8 raste të reja të prekur me koronavirus. Numri i rasteve totale në Shqipëri është 23.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 145 raste për COVID-19 dhe në total janë gjithsesj 298 raste të testuara. Deri në këto momente 23 raste kanë rezultuar pozitiv për COVID-19”, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Të gjitha rastet kanë pasur histori udhëtimi me Italinë.

Ajo bëri të ditur se 5 prej të prekurve ndodhen në Spitalin Infektiv në Tiranë, 3 prej të cilëve janë rastet nga i identifikuari i parë me COVID-19, një rast tjetër, 31 vjeçari me banim në Tiranë, me histori udhëtimi me Italinë dhe një grua 45-vjeçare nga Rrogozhina, me histori udhëtimi me Italinë.

Ndërsa 18 raste të tjera që kanë rezultuar pozitiv janë të vet-izoluar në shtëpi. Të gjithë janë në gjendje stabile.

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama ka marrë vendim për “blindimin” apo siç e ka quajtur ai, shtetrrethimin e zonave rreth Tiranës dhe Durrësit.

Përmes një postimi në Facbook ai ka bërë të ditur se të gjitha hyrje-daljet nga këto zona do të ndalohen nga e premta në pasdite deri të dielën në mesnatë.

Përveç hyrje-daljeve, kryeministri bëri te ditur që makinat private nuk mund të qarkullojnë në qytet dhe kjo do t'ju mundësohet vetëm automjeteve zyrtare dhe automjeteve që transportojnë mallra.

Shqipëria një ditë më parë ka shënuar viktimën e parë nga virusi vdekjeprurës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacientja 73-vjeçare, e konfirmuar me sëmundjen COVID-19 ka ndërruar jetë nga komplikimet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare.

XS
SM
MD
LG