Ndërlidhjet

Shqipëri: Shënohet viktima e parë nga koronavirusi


Stafi mjekësor duke kontrolluar pasagjerët që vijnë nga Italia. Durrës, shkurt, 2020.
Stafi mjekësor duke kontrolluar pasagjerët që vijnë nga Italia. Durrës, shkurt, 2020.

Autoritetet në Shqipëri njoftuan se një paciente, e prekur nga koronavirusi ka ndërruar jetë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, një paciente, 73-vjeçare, e konfirmuar me sëmundjen COVID-19 ka ndërruar jetë pak minuta më parë nga komplikacionet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare.

Ndërkaq, numri i personave të prekur nga koronavirusi i ri, ka arritur në 15.

Ministria e Shëndetësisë përmes një konference për media ka njoftuar se deri tani janë kryer analizat për 157 persona.

Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli, nëntë nga rastet e prekura kanë lidhje me “pacientin zero” në Shqipëri, ndërsa tre të tjerë nuk kanë lidhje me të. Nga këta të fundit, një është nga Tirana, një nga Lushnja dhe një nga Durrësi.

Gjendja e të prekurve është stabile, njofton ministria, edhe pse po mbahen nën kontroll të rreptë mjekësor.

"Tre prej të prekurve janë të shtruar në Spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme pa probleme të veçanta. Njëri nga pacientët në spitalin e Durrësit është në terapi intensive, por në gjendje të stabilizuar. Shtatë prej personave të identifikuar pozitiv me COVID-19 janë në vetizolim, pa shenja klinike infeksioni respirator, pra janë normal”, tha Rakacolli.

Ajo shtoi se institucionet po vijon të gjurmojnë raste të tjera.

Në anën tjetër, Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim për mbylle të të gjitha klubeve dhe kafeneve të natës, palestrave dhe mjediset e mbyllura për argëtim të fëmijëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë thirrje për kujdes dhe ka njoftuar se masat shtrënguese vazhdojnë sipas planit.

Numri i njerëzve të infektuar me koronavirus arriti në mbi 110,000 në të gjithë botën, dhe mbi 3,800 kanë vdekur nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.

Koronavirusi i ri, fillimisht u shfaq në Kinë në dhjetorin e vitit të kaluar. Numri më i madh i viktimave nga koronavirusi është në Kinë, Itali dhe Iran.

Ky virus përcillet me temperaturë, koll dhe probleme me frymëmarrje.

XS
SM
MD
LG