Ndërlidhjet

Ndëshkime për shkelësit e masave parandaluese kundër koronavirusit


Prishtinë

Zbatimi i masave parandaluese kundër virusit COVID-19, që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës një ditë më parë, po mbikëqyret nga autoritetet përkatëse, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovë, ndërkohë që kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve që këto masa parandaluese të jenë të suksesshme.

Aktualisht raportohet se po hetohet dukuria e ngritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe barnave. Kurse nga aspekti i zbatimit të masave tjera, Qeveria u ka bërë thirrje katër komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, që të zbatojnë vendimin për mbylljen e institucioneve arsimore, në të gjitha nivelet.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për të zbatuar masat e ndërmarra dhe se po bëhen përpjekje maksimale që ato të jenë efektive.

“Nuk jemi përballë asnjëherë me një situatë kaq emergjente edhe pse në këtë moment nuk është emergjente në Kosovë, por ne i kemi marrë masat parandaluese. Ne të lutemi dhe të shpresojmë që situata të mos përkeqësohet, por jam i bindur që me këto masa parandaluese siç është edhe mbyllja e shkollave, kemi evituar rrezikun e përhapjes së virusit. Unë besoj se mund të menaxhojmë situatën në masa parandaluese”, thotë Hoti.

Nëse eventualisht përkeqësohet situata, shton Hoti, Qeveria e Kosovës po i bëjnë gjitha përgatitjet e duhura përmes ministrive të linjës.

Institucionet përkatëse, si ato shëndetësore dhe të tjera, shton Hoti, janë në terren dhe ka një informim të plotë të qytetarëve për ndjeshmërinë e situatës dhe se sipas tij, nuk ka ndonjë problem në këtë drejtim.

“Këto masa mund të kenë suksese nëse qytetarët dhe bizneset bashkëpunojnë plotësisht për të evituar situatat dhe për të zbatuar strikt rregullat që jepen nga ekspertë të fushës të sjelljes së masave konkrete higjienike dhe masave tjera për të parandaluar përhapjen e virusit”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i ndërmarrë disa masa parandaluese, përfshirë edhe mbylljen e shkollave në të gjitha nivelet deri më 27 mars.

Mbyllja e institucioneve arsimore, është pasur me rekomandimin për lirimin e njërit prind nga puna, që të përkujdeset për fëmijën, por kjo masë nuk do të vlejë për punëtorët shëndetësorë dhe ata të sigurisë.

Po ashtu, qeveria ka marrë vendim që të pezullojë përkohësisht linjat ajrore dhe tokësore nga vendet me rrezikshmëri më të lartë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mbajtur një konferencë për media ku ka bërë se deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë. Ai tha se të gjitha institucionet shëndetësore dhe personeli mjekësor janë pajisur me materiale e duhur mbrojtëse.

“Masat dhe angazhimin tonë t'i kuptoni vetëm si kujdes i shtuar për shëndetin publik gjë që ka sjell edhe rezultatin që sipas të dhënave të OBSH-së Kosova bënë pjesë në mesin e vendeve me rrezik të ulët në raport me koronavirusin”, tha Vitia.

Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e Komisionit për parandalimin e virusit COVID-19. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky komision ka për obligim që të mbikëqyrë punën e të gjitha institucioneve relevante dhe të koordinojë ato sipas rasteve.

“Ky komisioni siguron që të shpërndahen materialet e domosdoshme nëpër qendrat mjekësore në të gjitha komunat, te policia, doganierët, e te të gjitha shërbimet tjera emergjente. Të përgatiten objekte të nevojshme për vendosjen e personave të prekur. Hyrje-daljet e qytetarëve nga Kosova të kontrollohen nga personeli shëndetësor. Bizneset të kryejnë punën e tyre me nder e përgjegjësi, të mos i lëvizin çmimet, dhe institucionet përkatëse të kontrollit të dalin në terren ku ofrohen materialet bazike”, tha Kurti.

Gjoba nga 500 euro deri në 8000 mijë euro për shkeljen e ligjit

Qeveria e Kosovës, si masë tjetër parandaluese ka marrë vendim për vetëkarantim të detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm.

Moszbatimi i masës për vetë-karantim sipas Qeverisë së Kosovës do të dënohet sipas Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

Sipas këtij ligji, nëse nuk merren masat e parashikuara për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së mëtejme të infeksionit ose masat e tjera më të domosdoshme kundër epidemike dhe higjienike që kushtëzohen nga natyra e sëmundjes, gjobat variojnë nga 500 euro deri në 8000 mijë euro.

Infektologu Valbon Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, do të ndikojnë dukshëm në parandalimin e mundësisë së përhapjes në masë të madhe, nëse vetëm paraqiten infeksionet me koronavirus në Kosovë.

“Afër një muaj ne si mjek kemi dhënë këshilla dhe informata dhe rekomandime qytetarëve se si mund të sillen në një situatë të mundshme epidemike dhe ne duam të besojmë që ne kemi një popullatë të arsimuar dhe qytetarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ruajtjes së shëndetit të tyre. Vendimet e qeverisë duhet të zbatohen dhe qytetarët përveç që kanë të drejtë në marrje të shërbimit shëndetësor, janë të obliguar që të kujdesen për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të tjerëve”, thotë Krasniqi.

Ndërkohë, pas reagimeve në rrjetet sociale dhe media se ka pasur shtrenjtim të çmimeve të produkteve ushqimore, Ministri i Ekonomisë dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se do të nxjerr vendim, përmes së cilit do të kërkojë nga komuniteti i bizneset që të kthejë çmimet reale.

Ai ka bërë të ditur se në të gjitha rastet ku inspektorët e Administratës Tatimore shohin parregullsi do të autorizohen të mbyllin ato biznese.

“Ka një brengë që në situatë emergjente gjithmonë gjendet një grup i vogël i biznesmenëve të papërgjegjshëm të cilët tentojnë që të keqpërdorin situatën për përftime të përkohshme jo normale. Si ministër do të nxjerr një vendim ku kërkoj nga komuniteti i biznesit që të ktheje çmimet në nivel normal. Do ta autorizojë ATK-në të përdor strukturën organizative për te dal në terren për të inspektuar marketet dhe farmacitë në mënyrë që të evitohen keqpërdorimet eventuale në çmime”, tha Bislimi.

Qeveria ka reaguar edhe pas njoftimeve se në katër komunat në veri të Kosovës, ka vazhduar procesi mësimor. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Agim Veliu, kërkoi nga Policia e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në Kosovë, në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 11 mars.

Në takim me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qelaj, Veliu kërkoi posaçërisht që të gjitha shkollat që funksionojnë në veri të Kosovës me plan dhe program të Serbisë, të mbyllen.

Si masë tjetër për parandalimin e virusit COVID-19, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura, pa praninë e publikut.

Gjatë ditës në Kosovë janë anuluar disa aktivitete si konferenca dhe tryeza diskutimi.

Masë tjetër është edhe kontrolli i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të Qendrave të Mjekësisë Familjare, në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetje të Policisë së Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur se të gjitha ekipet e profesionistëve shëndetësor janë kudo në laboratorë, në klinika, në spitale, në qendrat e mjekësisë familjare, në aeroport dhe në pikat kufitare.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

XS
SM
MD
LG