Ndërlidhjet

Kosova pa koronavirus, por me masa të shtuara kujdesi


Një maskë e hedhur në tokë. Romë, 8 mars, 2020.
Një maskë e hedhur në tokë. Romë, 8 mars, 2020.

Në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me koronavirusin e ri dhe sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi. Deri tani janë testuar rreth 80 mostra të personave të dyshuar me këtë virus, por që të gjitha kanë rezultuar negative.

Për dallim nga shumë vende tjera të prekura me koronavirusin e ri, në Kosovë ende nuk ka ndonjë masë ndalese. Institucionet arsimore funksionojnë si edhe më parë, kurse nuk ka ndonjë ndalesë për tubime e masa tjera, që tashmë disa vende i kanë ndërmarrë, në përpjekje të parandalimit të përhapjes së virusit.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës ditën e martë e ka miratuar planin për reagim lidhur me koronavirusin e ri, ku përfshihet një buxhet prej 10 milionë eurosh, i cili thuhet se do të jetë i mjaftueshëm për t’i pajisur të gjitha institucionet shëndetësore, emergjencat si dhe për adaptimin e objekteve për të trajtuar rastet që mund të paraqiten. Ky plan, fillimisht është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe më pas është dakorduar edhe nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë.

Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës , tha se plani parasheh mbulimin financiar të aktiviteteve të planit të gatishmërisë dhe të reagimit kundër sëmundjes Covid -19, që shkaktohet nga koronavirusi.

“Ky plan i përcakton përgjegjësitë e secilit institucion, ku ndër të tjera do të ketë pajisje për profesionistët shëndetësorë, furnizimin me terapi, pajisjen e karantinave me infrastrukturën e nevojshme, materialet informative për qytetarët, pajisjet laboratorike, krijimin e hapësirave izoluese, ekipet e reagimit të shpejtë dhe dhomat e veçanta", ka sqaruar ai.

Infektologu Valbon Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë, se janë të furnizuar me pajisje për mbrojtje personale, pajisje të cilat nëse nuk ka fluks të madh të pacientëve, sipas tij, ka mjaftueshëm edhe për dy javë. Ai flet edhe për kushtet në Klinikën Infektive në rast të paraqitjes së rasteve me koronavirus.

“Infrastruktura në klinikë është e mirë dhe kemi shtretër të mjaftueshëm. Secila dhomë e ka nyjën sanitare të veten dhe paradhomat me ujë për pastrim dhe dezinfektim të duarve. Ka kohë që e kemi dedikuar dhomën e triazhimit ku infektologët ekzaminojnë pacientët. Gjithashtu nëse dyshohen për koronavirusin e ri, janë dhomat e posaçme ku ata shtrihen. Janë 140 shtretër gjithsej në klinikë, ku kapaciteti me respiratorë është gjashtë shtretër. Por, janë edhe 40 shtretër me oksigjen qendror”, tha Krasniqi.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës pati ndarë edhe 400 mijë euro për furnizim të punonjësve shëndetësorë me masa mbrojtëse.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, bëri të ditur se 400 mijë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës, tashmë janë në funksion të blerjes së gjërave që shërbejnë si masë parandaluese për koronavirusin e ri.

Ndërkaq Hoti flet edhe lidhur me atë se çfarë dikasteri ku ai punon, ka paraparë të bëj me 10 milionë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës, si masë parandalimi ndaj koronavirusit.

“Me qëllim të mbrojtjes së punonjësve shëndetësorë, por edhe të shërbimeve tjera mbështetëse, siç janë policia kufitare, pjesëtarët e doganave dhe pjesëtarë të tjerë, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar ditëve të fundit procedura për blerje emergjente të pajisjeve të ndryshme të cilat do t’u shërbejnë këtyre shërbimeve, siç janë maska mbrojtëse, dorëza, veshje mbrojtëse, mburoja për fytyrë, termometra infra të kuq, dezinfektues të ndryshëm, e që ditëve në vijim do të ketë tenderë të tjerë për një furnizim edhe më afatgjatë, ndonëse nuk ka parashikim se sa mund të zgjasë një situatë epidemiologjike me koronavirusin e ri”, tha Hoti.

Ndryshe, deri më tani me koronavirusin e ri janë prekur rreth 117 mijë persona në mbarë botën, ndërkaq kanë vdekur mbi katër mijë.

Shumica e rasteve janë raportuar në Kinë, ndërsa shumica e tyre në epiqendrën e shpërthimit - provincën Hubei.

Italia është vendi me më së shumti persona të prekur me këtë virus në Evropë, derisa virusi ka arritur edhe në Kroaci, Serbi, Maqedoni të Veriut e Shqipëri.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.

XS
SM
MD
LG