Ndërlidhjet

Shqipëri: Dhjetë persona të prekur me koronavirus


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Në Shqipëri ka shkuar në dhjetë numri i personave të prekur me koronavirus, gjashtë prej të cilëve janë kontakt i ngushtë me dy rastet e para të konfirmuara, dhe dy raste tjera të palidhura me ta.

Deri tani, në Shqipëri janë testuar 114 raste të dyshuara, por përveç këtyre dhjetëve, të tjerët kanë rezultuar negativ.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë kanë njoftuar se të gjithë personat e prekur kanë pasur ose vet, ose ata rreth tyre, histori udhëtimi në Itali në dy javët e fundit.

Italia është vendi më i prekur në Evropë nga koronavirusi i ri. Kryeministri i këtij vendi, Giuseppe Conte, ka deklaruar se nga 10 marsi, njerëzit do të lejohen të udhëtojnë vetëm për punë apo emergjenca familjare.

Institucionet shëndetësore të Shqipërisë kanë bërë thirrje për qetësi, por edhe për kujdes të shtuar, pasi siç kanë thënë ata, “jemi në prag të një pandemie botërore”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një mbledhjeje të qeverisë ka thënë se gjendja me koronavirus është si “gjendje lufte” dhe se e gjithë bota po e lufton.

“Vendosëm mbylljen e shkollave që të shmangim grumbullimet, vendosëm që të mbyllim kopshtet dhe universitetet jo për t’i dhënë fëmijëve një dy javësh pushim për t’u mbledhur në disko e pub-e për t’u argëtuar si të ishte një situatë e zakonshme, por sepse kjo është një situatë lufte”, tha Rama.

“Të gjithë ekspertët e institucioneve janë bashkuar. Thirrja për të kufizuar në maksimum kontaktet fizike nuk është një predikim në ajër, por thirrja numër një e OBSH-së dhe gjithë ekspertëve të fushës në mbarë globin”, tha kryeministri.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka kërkuar nga qytetarët që të marrin përgjegjësi dhe masa për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

Shqipëria ka marr masa në parandalim të shpërndarjes së virusit vdekjeprurës duke mbyllur të gjitha institucionet arsimore për dy javët e ardhshme.

Qeveria po ashtu, të martën kanë vendosur të ndërpresë të gjitha fluturimet dhe lundrimet me Italinë.

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha ka mbajtur një konferencë për media nga selia e partisë së tij, ku ka ftuar qytetarët të mbesin të qetë edhe pas rritjes së numrit të rasteve të prekura me koronavirus.

“Rastet e bashkëqytetarëve tanë të infektuar nga koronavirusi sa po vinë e po rriten. Siç u thash edhe dje, nuk është koha për panik, por është koha për kujdes”, tha Basha duke shtuar se duhet të shmangen vendet publike dhe kontakti me njerëz që mund të dyshojnë se janë të prekur.

Ai ndër tjerash, duke thënë se mbrojtja e vetme nga ky virus janë shërbimet shëndetësore, akuzoi qeverinë se po shpërndan dhe po pajisë me maska me afat të skaduar pacientët, infermierët dhe stafin shëndetësor.

Kryeministri Edi Rama ju përgjigj këtyre akuzave të kreut të opozitës përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Numri i njerëzve të infektuar me koronavirus arriti në mbi 110,000 në të gjithë botën, dhe mbi 3,800 kanë vdekur nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.

Koronavirusi i ri, fillimisht u shfaq në Kinë në dhjetorin e vitit të kaluar. Numri më i madh i viktimave nga koronavirusi është në Kinë, Itali dhe Iran.

Ky virus përcillet me temperaturë, koll dhe probleme me frymëmarrje.

XS
SM
MD
LG