Ndërlidhjet

Qeveria në detyrë e Kosovës e vlerëson deklaratën e SHBA-së


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria në detyrë e Kosovës tha se e vlerëson një deklaratë të zyrtarëve amerikanë, e cila thotë se nuk ekziston ndonjë plan i fshehtë për ripërcaktimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Të enjten, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët se nuk ka asnjë plan sekret për shkëmbim territoresh midis Kosovës e Serbisë, siç “kanë spekuluar disa”.

Deklarata e tyre ka ardhur një ditë pasi Albin Kurti – tani kryeminitsër në detyrë i Kosovës – ka thënë se mocioni për rrëzimin e qeverisë së tij “ka ardhur për shkak të pazareve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shkëmbim territorial me Serbinë”.

“Për Qeverinë në detyrë të Republikës së Kosovës është tejet i rëndësishëm fakti se në deklaratën e përbashkët thuhet se nuk ekziston një plan i fshehtë për ripërcaktim kufijsh dhe se i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar një plan të tillë”, tha përmes një komunikate për media Qeveria në detyrë e Kosovës.

Kjo, sipas saj, paraqet mbështetje dhe inkurajim për Qeverinë në detyrë, por shtoi se ”thirrjet e vazhdueshme” të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq “vazhdojnë të jenë kërcënim”.

Thaçi dhe Vuçiq, në gusht të vitit 2018, kanë shpalosur idenë e shkëmbimit të territoreve si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve.

Ideja ka hasur në reagime të ndryshme për dhe kundër, por më vonë është thënë se nuk është më opsion.

Lexoni edhe këtë:

XS
SM
MD
LG