Ndërlidhjet

Ambasada amerikane kundër reciprocitetit ndaj mallrave serbe


Ilustrim

Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, thanë se kundërshtojnë masat e reciprocitetit, që u ka vënë Qeveria në detyrë e Kosovës mallrave nga Serbia.

Nga 1 prilli, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës.

Në rastin e Serbisë, atë e ka zëvendësuar me masa reciprociteti, kurse ndaj Bosnjës nuk ka marrë ndonjë masë shtesë.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika i lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngufatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Sipas saj, këto masa “krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-ja beson se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”.

Kosova dhe Serbia kanë ndërprerë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në fund të vitit 2018, kur edhe Qeveria e atëhershme e Kosovës u ka vënë tarifë 100% prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja.

SHBA-ja ka bërë vazhdimisht thirrje për heqjen e kësaj tarife pa kushte.

Pas lëndës së parë, fillon futja e mallrave nga Serbia në Kosovë

Reciprociteti, është një masë e re të cilën Qeveria në detyrë e Kosovës i ka vënë Serbisë, duke e zëvendësuar taksën 100 për qind për importet nga ky vend. Me masën e reciprocitetit, Qeveria e Kosovës parasheh që t’u kundërpërgjigjet masave të Serbisë, të cilat i ka vendosur ndër vite në raport me Kosovën.

Video: Pak kamionë në kufi pas heqjes së tarifës me Serbinë

Pak kamionë në kufi pas heqjes së tarifës me Serbinë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:07 0:00

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se masa e reciprocitetit, obligon që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse, të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.

Nuk ka shtim të importit të lëndës së parë nga Serbia në Kosovë

Në anën tjetër, drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, vendimin e Prishtinës zyrtare e konsideron si një bllokadë të re, duke shtuar se “nga Serbia kërkohet të pranojë Kosovën dhe në dokumentet e veta të shkruaj 'Republika e Kosoves'”. Ai i ka bërë thirrje BE-se të reagojë mbi masat e reciprocitetit, duke shtuar se askush nuk duhet të pres se kjo është rruga për vazhdimin e dialogut.

Në Doganën e Kosovës thonë se janë duke zbatuar këtë vendim dhe deri në mesditën e të mërkurës, kanë hyrë 16 maune me produkte të ndryshme, kryesisht miell dhe grurë, kurse një maune tjetër është kthyer.

Ibrahim Xhaka, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm në Doganën e Kosovës, tha se të gjitha mallrat që kanë hyrë në territorin e Kosovës nga Serbia i kanë pasur dokumentet e kërkuara në përputhje në Kushtetutën e Kosovës.

Ai thotë se asnjë produkt nuk do të lejohet në territorin e Kosovës me mbishkrime jo adekuate.

“Sot nuk kemi hasur në ndonjë problematikë sepse mallrat kanë ardhurme dokumentacion ashtu siç e parasheh vendimi i qeverisë së Kosovës dhe ashtu siç i parashohin ligjet e Republikës së Kosovës. Nuk pranojmë mbishkrime jokushtetutese”, tha ai.

Disa nga subjektet ekonomike në Kosovë e mbështesin vendimin e Qeverisë se Kosovës, kurse disa janë kundër masave, duke e vlerësuar reciprocitetin si pengesë në marrëdhëniet tregtare në mes shteteve fqinje.

Oda Ekonomike Amerikane nuk e mbështet vendimin e qeverisë në detyrë për aplikimin e reciprocitetit. Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha për Radion Evropa e Lirë se “qëndrimi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës në këtë aspekt është bërë i ditur shumë më herët”.

“Ne realisht kemi kërkuar që nga dita e parë e vendosjes së masave tarifore ndaj dy shteteve të Ballkanit perëndimor, që të njëjtat të shfuqizohen pa kushte. Asnjë barrierë tarifore dhe jotarifore nuk i kontribuon zbatimit të dispozitave të marrëveshjes së CEFTA-s dhe krijimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, kështu që në këtë aspekt ne kemi kërkuar shfuqizimin e tarifës në mënyrë të pakushtëzuar dhe kjo përfshinë edhe mosaplikimin e reciprocitetit”, tha Zeka.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, ka thënë se nga heqja e taksës, Kosova nuk fiton asgjë, as liberalizim e vizave, as garancinë që Serbia do e ndal fushatën kundër Kosovës.

Përkundrazi, thotë ai, i jep tregun Serbisë pa asnjë përfitim për Kosovën.

“Taksa e arriti efektin e vet. Serbia humbi rreth 800 milionë euro për 18 muaj të zbatimit. Por, zëvendësimi i taksës me gjysmë reciprocitet nuk do ketë asnjë efekt pozitiv për askënd, bile as për miqtë tanë ndërkombëtar”, tha Shahini në një konferencë për media.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës përmes një komunikate për media e përkrah vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin gradual të reciprocitetit, si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Ky Klub pret që kuadër të tregtisë së lirë në marrëdhëniet tregtare duhet të respektohen parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjet e ndërkombëtare.

Kurse Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se taksa 100 për qind në aspektin ekonomik ka arritur disa efekte pozitive, duke fuqizuar ndërmarrjet prodhuese vendore, por në aspektin politik është përcjell me ndikime negative.

Rukiqi ka shkruar në Facebook se reciprociteti tregtar mund të zbatohet nëse mekanizmat tjerë për zgjidhjen e konflikteve tregtare nuk funksionojnë. “Është urgjente që brenda CEFTA-s të krijohen mekanizma për zgjidhjen e kontesteve tregtare mes vendeve anëtare”, ka shkruar Rukiqi.

“Kosova tani e tutje duhet të jetë shumë e zëshme dhe argumentuese në adresimin e shumë barrierave jo-tarifore që ekzistojnë me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Kosova duhet të mbrojë tregun në çdo rast kur të tjerët veprojnë jashtë rregullave të lojës.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, përmes një postimi në Twitter tha se Gjermania e mirëpret vendimin e qeverisë në detyrë për tërheqje të tarifave. Ai theksoi se tani duhet të shfrytëzohet momenti për vazhdim të dialogut midis Kosovës e Serbisë.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka cilësuar si rrugë pa krye të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, vendosjen e masave të reciprocitett ndaj Serbisë.

Në llogarine tij në Facebook, Hoti ka shkruar që aleatët e Kosovës kanë kërkuar që t’u besohet atyre dhe planit të tyre, që tarifa ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës të hiqej pa kushte, në mënyrë që ta detyronin Serbinë të ndalonte fushatën kundër Kosovës, dhe atë në mënyrë të verifikueshme.

“Aleatët tanë kërkonin kohë që të detyronin Serbinë të hiqte pengesat për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe mallrave me Kosovën. Nëse këto pengesa nuk do të hiqeshin, atëherë aleatët do të mbështesnin Kosovën në vendosjen e masave të reciprocitetit”, ka shkruar Hoti

Ai ka shtuar që Kosova e ka humbur shansin që heqjen e taksës ta përkthejë në mbështetje për Kosovën dhe presion mbi Serbinë nga aleatët e Kosovës.

Ndaj heqjes së tarifës prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe vendosjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nga Qeveria e Kosovës në detyrë, ka reaguar edhe Enver Hoxhaj, deputet i Kuvendit të Kosvës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në llogarinë e tij në Facebook, Hoxhaj ka theksuar që kryeministri në largim, Albin Kurti, ka marrë vendim me paqartësi politike, pa koordinim me aleatët strategjikë dhe pa ndonjë përfitim ndërkombëtar për Kosovën.

“Ideja fillestare e taksës ishte që Serbia të ndalonte fushatën kundër njohjes së Kosovës. Një kushtëzim i tillë nuk është se nuk e kishte përkrahjen amerikane”.

“Vendimin që mori dje në terr të natës dhe në terr të përgjegjësisë për heqjen e taksës, e shoh si provokim, tani në raport me aleatët tanë dhe me të gjitha forcat politike parlamentare në Kosovë”, ka shkruar Hoxhaj.

Qeveria e kaluar e Kosovës, më 21 nëntor të vitit 2018, e kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo edhe shfuqizimin e kësaj takse, pasi ajo u konsiderua si shkak që Serbia të tërhiqet nga tavolina e bisedimeve me Kosovën, deri në heqjen e tarifave doganore apo taksës.

Kurse, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ishte zotuar qysh nga koha e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, 2019, se nëse vjen në pushtet taksën do ta zëvendësonte me reciprocitetin ndaj Serbisë.

Lexoni edhe këtë:

XS
SM
MD
LG