Ndërlidhjet

Solidaritet dhe frikë për të ndihmuar në Maqedoninë e Veriut


Shumë ekipe mobile humanitare që përbëhen nga vullnetarë si dhe pjesëtarë të Kryqit të Kuq në Maqedoninë e Veriut janë vënë në ndihmë të të moshuarve dhe rasteve sociale në kohën e koronavirusit.

Humaniteti, theksojnë organizatat humanitare, shihet në kohëra të vështira dhe kjo barrë nuk duhet të na bëjë egoistë, thonë ata.

Në territorin e Shkupit tashmë funksionojnë 10 ekipe me 35 aktivistë të kryqit të kuq u vunë në dispozicion të personave të moshuar dhe familjeve më të rrezikuara sociale.

Ekipet mobile të Kryqit të Kuq krahas Shkupit veprojnë edhe në 26 komuna të tjera të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë që në rrjete sociale gjithnjë e më shumë mund të shihen mbishkrimet “jam në dispozicion për blerjen e ushqimit, medikamenteve dhe gjësendeve të tjera për personat që për ndonjë arsye nuk mund të dalin nga shtëpia”.

Oferta për të ndihmuar janë vendosur dhe në banesat kolektive ku persona të caktuar vendosen në dispozicion për të ndihmuar fqinjët e tyre që e kanë të pamundur dhe nuk mund të presin në radhë në dyqanet për ushqim dhe farmaci.

Por, Suzana Tuneva Paunova nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut thotë se tani numri i vullnetarëve është më i vogël krahasuar me numrin e vullnetarëve të paraqitur në Kryqin e Kuq gjatë krizës së migrantëve.

Ajo shton ajo është si rezultat i frikës sepse kemi të bëjmë me një luftë e cila është e panjohur dhe ka akoma shumë pikëpyetje se si duhet mbrojtur gjatë kontaktit me personat e tjerë.

“Tani që ballafaqohemi me diçka që është e panjohur vërehet frikë tek personat do të mund të ishin vullnetarë për të ofruar ndihmë”, thekson Paunova.

Dibra është qytet që bashkë me Zhupën tashmë për më shumë se një muaj mbeten tërësisht të izoluar si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, pasi në këtë qytet ishte regjistruar numri më i madh i të infektuarve dhe si pasojë tashmë janë regjistruar katër viktima nga koronavirusi.

Mungesa e rezervave ushqimore thonë dibranët është evidente jo vetëm tek kategoritë e ndjeshme sociale, por edhe tek shtresa a e mesme sepse bllokimi i ekonomisë së vogël ka bllokuar tërësisht edhe të ardhurat e tyre.

Hekuran Duka, kryetar i komunës së Dibrës, për Radion Evropa e Lirë thotë se shtabi i emergjencës i ngritur në këtë komunë tashmë për çdo ditë është duke shpërndarë pako të produkteve ushqimore për familjet në nevojë, por edhe për familjet që janë izoluar.

Ai njëherësh thotë se numri i vullnetarëve është dukshëm më i vogël krahasuar me ata që u paraqitën për të ndihmuar pas tërmetit në Shqipëri ose aktivitetet e ndryshme humanitare të mëhershme në komunë.

Duka thotë se për të shmangur kontaktin paraprakisht përcaktohen oraret për personat e caktuar që të mos grumbullohen më shumë persona në pikat shpërndarëse të ndihmave.

“Që të mos ketë manipulime dhe keqkuptime kemi formuar një trup të përbashkët humanitar. Kjo do të thotë se të gjitha organizatat humanitare që veprojnë këtu janë bashkuar në një trup të vetëm dhe kanë përpiluar një listë ku janë të ranguar të gjithë personat që kanë nevojë për ndihmë edhe ata veprojnë si një trup i përbashkët kështu që ndihma shkon me rregull“.

“Mirëpo në një strategji më të largët nëse kriza zgjatë edhe një muaj ose dy muaj, qytetarët këtu nuk do të mund të jetojnë vetëm nga ndihmat humanitare po sigurisht se do të duhet dhe intervenimi i qeverisë për ta zbutur situatën sepse gjithçka këtu është bllokuar”, thotë Duka.

Arben Taravari, ish-ministër i Shëndetësisë i cili drejton Komunën e Gostivarit, për Radion Evropa e Lirë thotë se në këto raste trajnimi profesional dhe mbrojtja e personave që paraqiten vullnetarë për të ndihmuar është shumëfish më e rëndësishme se aktiviteti humanitar.

Ai para së gjithash si mjek thotë se aktivitet humanitare duhet të koordinohen nga ekipe të specializuara për mbrojtje nga infeksionet.

“Në komunën e Gostivarit i kemi unifikuar të gjitha organizatat joqeveritare përkatësisht aktivitet e tyre humanitare në një këshill të përbashkët të cilët paraprakisht janë trajnuar dhe natyrisht ky trup ndihmohet nga Kryqi i Kuq që bën punën kryesore“.

“Kështu që tani për momentin më duhet të theksoj se qeveria shumë pak po ndërmerr masa për të ndihmuar këtë kategori të njerëzve kurse shoqatat joformale organizatat joqeveritare, disa të regjistruara dhe disa jo, e bëjnë këtë punë, megjithëse më duhet të them me një profesionalizëm joadekuat ashtu siç do të duhej ta bëjnë organet shtetërore duke mbuluar çdo kategori me ndihma dhe me mbrojtje adekuate për ata që ofrojnë ndihmë”, thotë Taravari.

Ndryshe, Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë tashmë është duke realizuar dhe aksionin për shpërndarjen e ilaçeve për të sëmurët kronikë që ndodhen në karantinë.

XS
SM
MD
LG