Ndërlidhjet

Kërkohen masa shtesë për respektimin e orës policore në Maqedoninë e V.


Shkup, 2 prill, 2020.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut kërkon masa shtesë për respektimin e orës policore dhe masën e vetizolimit, pasi raportet e saj ditore flasin për shkelje të shumta nga ana e qytetarëve, në veçanti nga personat që duhet të jenë të vetizolim, për shkak se kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, apo kanë qenë në kontakt me persona të infektuar.

Për t'i forcuar sa më shumë kontrollet në zonat ku besohet se ka shkelje e ku nuk arrijnë forcat policore, ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, ka bërë të ditur se në mbledhjen e qeverisë do të kërkojë aktivizimin e dronëve të policisë.

Çulev është ministër nga radhët e VMRO-DPMNE-së opozitare, që merr pjesë në qeverinë, e cila ka karakter teknik, pasi kjo qeveri ishte formuar vetëm për organizimin e zgjedhjeve që tanimë janë anuluar.

Qeveria ende nuk e ka shqyrtuar këtë kërkesë, ndërkohë që aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se shëndeti i popullatës është mbi të gjitha, por, sipas tyre, duhet mbajtur llogari edhe mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, siç janë privatësia dhe të dhënat personale.

“Kur kemi një lloj të këtillë të kërcënimit, atëherë kjo nënkupton se shëndeti publik është mbi të dhënat personale dhe privatësinë. Megjithatë, kjo nuk duhet të nënkuptojë se pushteti mund të bëjë gjithçka. Ligji parashikon edhe kufizime apo përpunimin në masë të caktuar të të dhënave personale, duke marrë në konsideratë shëndetin, por edhe të drejtat e personit gjatë përpunimit të të dhënave të tij. Pasi të kalojë kjo gjendje, personat, të cilëve pa asnjë bazë u janë keqpërdorur të dhënat personale, do të kenë të drejtën që të iniciojnë procese gjyqësore”, tha Dimitar Georgievski, ish-drejtor i Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale.

Por, profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës, Qebir Avziu, tha se në situatën e krijuar, kur jeta e njerëzve po rrezikohet nga një “armik i padukshëm” si koronavirusi që ka sjellë edhe pandeminë, çdo masë është e lejueshme dhe në asnjë rast nuk mund të thuhet se ka shkelje të privatësisë apo të të drejtave të njeriut.

Përse numrat nuk e tregojnë rrëfimin e plotë?

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.


“Në situata të caktuara, kur vjen në shprehje interesi madhor që të mbrohen jetët e njerëzve, qeveria, respektivisht shteti mund të kufizojë lirinë e lëvizjes. Kjo është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me të gjitha aktet ndërkombëtare. Këtu është fjala se si të mbrohen jetët e njerëzve, pra nuk është fjala për shkeljen e privatësisë, shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut, por për një koncept që mbron të gjithë qytetarët e një vendi, sepse këta rrezikojnë që të shpërndajnë sëmundjen, prandaj edhe janë vendosur në izolim”, tha Avziu.

Ndërkohë, edhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për respektimin e masave të qeverisë duke paralajmëruar se në ditë në vijim do të ketë rritje të numrit të personave të infektuar me koronavirus.

“Shifrat janë në një vijë lineare, pra po shkojnë në rritje e sipër dhe në dy apo në tri javët e ardhshme do të kemi majën më të lartë me persona të prekur. Por, nëse i respektojmë të gjitha masat që janë marrë nga komisioni për sëmundje infektive dhe të ekspertëve tanë vendorë, besoj se do ta absorbojmë atë pikun e kësaj sëmundjeje dhe do ta kapërcejmë këtë situatë”, tha zëvendësministri i Shëndetësisë, Armend Arsllani.

Deri të premten numri i të vdekurave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 13, ndërsa i të infektuarve mbi 400.

XS
SM
MD
LG