Ndërlidhjet

Mësimi online i paarritshëm për të gjithë nxënësit në Maqedoninë e V.


Ilustrim

Mësimi përmes internetit apo i njohur si mësimi online po realizohet në pjesën më të madhe të vendit ndërsa problemet e natyrave teknike janë regjistruar kryesisht në zonat rurale, por edhe tek familje të shumta në nevojë të cilat nuk janë të kyçura në internet, apo që nuk kanë mjetet e nevojshme si celularë dhe kompjuter.

Sipas një vlerësimi të parë të institucioneve arsimore, janë rreth 20 mijë familje të tilla.

“Ne kemi përgatitur një listë me 100 nxënës që nuk kanë mundësi që të kyçen në internet, por shpresojmë se do të marrim ndonjë donacion apo nga një laptop për këta nxënës ashtu siç është premtuar nga Ministria e Arsimit. Por, pavarësisht kësaj ne e vlerësojmë angazhimin dhe interesimin e fëmijëve për t’u kyçur në mësimin online”, thotë Suzana Aliu, mësuese në një shkollë fillore në periferi të Shkupit.

Vështirësi në procesin mësimor po hasin edhe shkollat e mesme profesionale të cilat praktikën duhet ta zhvillojnë nëpër laboratorë apo institucione shtetërore, si në klinika, fabrika apo objekte tjera.

“Shkolla jonë mësimin praktik e ka realizuar nëpër institucione shtetërore, si në klinikën universitare, por edhe në klinika e farmaci të ndryshme edhe atë pushimit veror ndërsa më parë atë e kemi realizuar nëpër laboratorët tanë në shkollë. Tani jemi të detyruar që deri sa të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme të respektojmë rekomandimet nga Ministria e Arsimit”, thotë Blerim Nebiu, drejtor në shkollën e mesme të kimisë në Shkup duke besuar se gjendja do të normalizohet dhe nxënësit t'i kthehet procesit të rregullt mësimor.

Edhe Marina Manojllovska, drejtore në një shkollë fillore në qytetin e Kumanovës, thotë se ka probleme në realizimin e mësimit. Ajo thekson se kuadri mësimor është i angazhuar në realizimin e këtij vendimi apo në mbajtjen online të mësimeve me nxënësit, por vetëm me ata që posedojnë mjetet e komunikimit të tillë.

“Duke marrë parasysh gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ndodhemi po mundohemi t'i përshtatemi rrethanave të krijuara. Por, më duhet të them se mësimin në klasa së bashku me mësuesin nuk mund të zëvendësojë asnjë mënyrë tjetër e arsimimit. Të gjithë mësuesit janë të kyçur në këtë proces, interesimi i nxënësve është i madh, por fatkeqësisht jo të gjithë e kanë këtë mundësi, andaj apeloj që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje dhe për këta fëmijë”, thotë Manojllovska.

Nga Ministria e Arsimit thonë se mësimi online ka vështirësi, por të cilat besojnë se shumë shpejt do të kapërcehet përmes formave të ndryshme të ndihmës nga shteti për familjet në nevojë.

“Kjo mënyrë e organizimit dhe realizimit të mësimit ka sfida. Gjithë territori i vendit është i mbuluar me rrjet të internetit, por problem kemi me familjet e varfra të cilat nuk kanë mundësi të kenë qasje në internet andaj ne do të ndajmë vauçer për internet për të gjitha familjet që janë raste sociale".

"Sa i përket pajisjeve, nuk besoj se nevojitet ndonjë pajisje më bashkëkohore me kamera të veçanta dhe mikrofon. Në treg mund të gjenden edhe pajisje të përdorura me çmime të ulëta. Besojmë se do të zgjidhin shumë shpejt edhe këtë problem”, ka deklaruar ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Derisa arsimi fillor dhe i mesëm po hasin vështirësi, në arsimin universitar sipas drejtuesve të tyre gjendja është më e mirë, pasi në shumë prej tyre edhe para gjendjes së jashtëzakonshme dhe paraqitjes së koronavirusit janë aplikuar leksione përmes internetit.

XS
SM
MD
LG