Ndërlidhjet

Hoti: Çështjet politike do të zgjidhen me mjete demokratike


Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ish zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se çështjet e brendshme dhe të jashtme politike do të zgjidhen me mjete demokratike dhe kushtetuese, dhe jo me “gjakderdhje”, që sipas tij, po e përmendin politikanët në Kosovë.

“Të gjitha çështjet e pazgjidhura në politikën e brendshme dhe të jashtme, sado të vështira të jenë, do të zgjidhen me mjete politike, demokratike e kushtetuese. Por, për fat të keq ende mbijetojnë politikanë në Kosovës që në projektet e tyre të garës politike zë vend termi “gjakderdhje” në kuadër të përpjekjeve për arritje të qëllimeve të tyre politike”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Më herët të dielen, kryeministri në detyrë, Albin Kurti , përmes një video-mesazhi, ka thënë se ka politikanë e zyrtarë në Prishtinë dhe Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit, duke provokuar incidente

“Tash duan konfikte e gjakderdhje ne terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur Gjendje të Jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arriten ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë për ta shpallur”, ka thënë Kurti.

Të shtunën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar qeverinë në detyrë duke thënë se ajo është e papërgjegjshme karshi situatës së krijuar me pandeminë në veri të Kosovës.

Dy komuna të veriut, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, janë vendosur në karantinë dhe kjo, sipas Thaçit është bërë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës.

Mirëpo zyrtarët e qeverisë në detyrë kanë instistuar se vendosja në karantinë e këtyre dy komunave është bërë në koordinim zyrtar më Ministrinë e Shëndetësisë dhe bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

XS
SM
MD
LG