Ndërlidhjet

Ndërprerjet e energjisë elektrike në kohë pandemie


Ilustrim

Ndërprerjet e kohëpaskohshme të energjisë elektrike po shkaktojnë probleme për nxënësit të cilët po ndjekin mësimet online dhe punëtorët të cilët po punojnë nga shtëpia.

Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga sëmundja COVID-19, mësimi nga distanca po transmetohet në televizionin publik të Kosovës në orar të caktuar, ndërsa për shkak të mbylljes së shumë aktiviteteve ekonomike në disa sektorë puna po bëhet nga shtëpia.

Kjo situatë ka rritur kërkesën për energji elektrike te konsumatorët e amvisërisë dhe ka ulur kërkesën te konsumatorët komercialë.

Noela Selishta është nxënëse në njërën nga shkollat fillore të Prishtinës. Ajo thotë se ka ndodhur të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, kur ajo ka qenë duke mbajtur mësimin online.

“Ne mbajmë edhe mësime online me arsimtarët me aplikacionin zoom dhe në disa raste edhe kur kemi qenë duke mbajtur orë mësimi është ndërprerë rryma, nuk ka zgjatur shumë ka ardhur brenda një kohe të shkurtër”, thotë ajo.

Flora Loshi, profesoreshë në Akademinë Evolucion është duke zhvilluar mësimin online me studentët e saj. Në këtë kohë, furnizimi stabil me energji elektrike, thotë ajo, është mëse i domosdoshëm.

“Në këtë periudhë të pandemisë jemi duke e organizuar mësimin online. Deri tani procesi i ligjërimit online ka shkuar shumë mirë. Rëndësi të veçantë në këtë proces ka energjia elektrike, për shkak se ka raste derisa je duke ligjëruar të ketë shkëputje të energjisë dhe në një formë e prish gjithë procesin e mësimit online. Deri më tani nuk kemi pasur probleme të mëdha, por ka shumë rëndësi që në këtë periudhë që punojmë online të ketë rrymë 24 orë pa ndërprerje”, thotë ajo.

Përgjegjës në Kosovë për furnizimin me energji elektrike është operatori për furnizim me energji (KESCO) dhe ai për shpërndarje të energjisë (KEDS).

Zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike, Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se po sigurohet furnizim stabil me energji elektrike dhe se ndërprerjet mund të jenë vetëm në rast të ndonjë prishjeje, për shkak të rrjetit të dobët elektrik.

“Gjendja e rrjetit elektrik nuk është më e mira e mundshme, ne kemi trashëguar një rrjet shumë të rëndë dhe për rrjedhojë ka ndonjë ndërprerje të kohëpaskohshme edhe përkundër investimeve të mëdha që janë bërë gjatë këtyre viteve, por është e pamundur që rrjeti elektrik të ndërrohet brenda shtatë viteve. Jemi duke punuar vazhdimisht që kjo të ndryshojë, ka ndryshuar për një pjesë të madhe të konsumatorëve, por një pjesë e konsumatorëve vazhdojnë të mos e kenë rrjetin brenda standardeve”, thotë Buzhala.

Buzhala shton se kushtet janë rënduar për shkak të koronavirusit, por gjithçka po përballohet me sukses dhe se punëtorët janë në terren duke intervenuar në kohën më të shkurtër të mundshme në secilin problem me energji elektrike.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por, me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Termocentrali i ri “Kosova e re”, projekt ky i cili do ta shkarkonte Kosovën nga problemet me energji elektrike mund të mos realizohet fare, pasi që javë më parë kompania Contour Global e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e termocentrali ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga plani për ndërtimin e termocentralit.

Termocentrali Kosova e Re ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023.

XS
SM
MD
LG