Ndërlidhjet

Kosovë: 224 numri i të infektuarve me koronavirus, përfshirë të dhënat nga komunat serbe


QKUK.
QKUK.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) në njoftimin për rastet e reja me COVID-19, ka përfshirë edhe rastet nga komunat e banuara me shumicë serbe.

Kjo është hera e parë që ky Institut i përfshinë rastet nga komunat me shumicë serbe në të dhënat që publikon për numrin e të infektuarve në Kosovë.

Deri më tani të dhënat nga komunat me shumicë serbe janë raportuar në Serbi.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se përfshirja e rasteve nga komunat me shumicë serbe ndihmon në posedimin e një pasqyre të qartë të shtrirjes së rasteve në gjithë vendin.

"Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik,pas analizës së disa mostrave qe i ka bërë vet në veri, dhe pas raportimeve të rasteve edhe nga ajo zonë, i ka përfshirë në raportin e rregullt edhe rastet e raportuara në veri. Kjo ndihmon për të pasur një pasqyrë të qartë të shtrirjes së rasteve në gjithë vendin", thotë drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.

Me rastet e reja të konfirmuara nga IKSHPK-ja, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 224, ndërsa numri i viktimave është gjashtë.

“Rastet pozitive të sotme janë raste kontakti, katër (4) prej tyre me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri, dy (2) me vendbanim në Banjë- Malishevë, dy (2) me vendbanim në Prishtinë, dy (2) me vendbanim në Mitrovicë të Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet Bllacë-Suharekë, Gjurgjevik-Klinë, Krojmir-Lipjan dhe Zveçan”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja po ashtu njofton se edhe shtatë pacientë janë shëruar, që e çon në 37 numrin e të shëruarve në Kosovë.

Rastet e para me koronavirusin e ri në Kosovë u regjistruan më 13 mars.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

XS
SM
MD
LG