Ndërlidhjet

Qendra Emergjente e mbingarkuar, klinikat vetëm me raste urgjente


Qendra Emergjente
Qendra Emergjente

Pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-19, fluksi i pacientëve në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nuk ka shënuar rënie, derisa në klinika tjera, ku po punohet me kujdestari, po pranohen vetëm rastet urgjente.

Kjo qendër si terciare dhe referente për tërë Kosovën, po pranon pacientë me sëmundje nga më të ndryshmet.

Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente tha për Radion Evropa e Lirë, se barra i ka rënë kësaj klinike, pasi që, pacientët emergjent e joemergjent po drejtohen aty.

‘’Sa i përket kohës prej kur janë paraqitur rastet e para me koronavirus, dy javët e para kanë qenë vetëm ato rastet që kanë pasur nevojë për shërbime emergjente shëndetësore, ndërkaq nga java e kaluar është shtuar numri i pacientëve për shkak se në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nuk punojnë ambulancat specialistike, të cilat i kanë kontrollet e shpeshta dhe kjo ka bërë që të shtohet numri i rasteve që kërkojnë ndihmë".

"Gjithashtu ka pacientë edhe nga Qendrat e Mjekësisë Familjare si dhe nga Spitalet Regjionale. Ne kemi apeluar që Klinika Emergjente të jetë vetëm për njerëzit që kanë raste emergjente, por po vazhdon avazi i vjetër që njerëzit edhe joemergjent ta ringarkojnë shërbimin emergjent, dhe sigurisht se kjo po na e vështirëson punën’’, tha Lenjani.

Por, Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, tha se në klinikën që ai udhëheq, numri i pacientëve është pakësuar. Në këtë klinikë janë vetëm 10 pacientë të shtrirë, ndërkaq nga 40 salla operative kirurgjike sa janë gjithsej, po operohen vetëm rastet emergjente.

"Në mjekimin intensiv është pakësuar dukshëm numri i pacientëve. Kemi 27 shtretër gjithsej dhe kemi vetëm 10 pacientë të shtrirë. Ndërkaq nga 40 salla të intervenimit kirurgjik sa posedojmë, vetëm rastet urgjente janë duke u punuar. Po ka rënë numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Kuptohet vetëm rastet urgjente që nuk presin, ata kërkojnë ndihmë, dhe ju ofrohet ndihmë".

"Qytetarët janë vetëdijesuar që është rrezik në kohën e koronavirusit, dhe po e ruajnë veten dhe stafin mjekësor, pra bëhet fjalë për ato operime që mund të presin’’, tha Baftiu

Ndryshe, ditën e hënë, tre pacientë që kanë marrë trajtim në kuadër të Klinikës Emergjente, pasi janë marrë mostrat si të dyshuar për COVID-19, pas rezultateve të konfirmuara nga Laboratori i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kanë rezultuar pozitiv.

Zyrtarë brenda kësaj qendre thonë se personat e dyshuar me koronavirus, duhet të drejtohen në Klinikë Infektive, meqë atje stafi është i pajisur me veshje adekuate, derisa në këtë klinike personeli bartë maska dhe dorëza të thjeshta.

Kjo po bën që stafi shëndetësor të ndihet i rrezikuar nga pacientë potencial të infektuar.

Sipas të dhënave të fundit, në të gjitha komunat e Kosovës është raportuar për 227 persona të prekur me koronavirus, duke përshirë 38 persona të shëruar dhe shtatë të vdekur.

XS
SM
MD
LG