Ndërlidhjet

Trump i bën jehonë thirrjes për shkarkimin e ekspertit Fauci


Presidenti amerikan, Donald Trump dhe eksperti Anthony Fauci

Presidenti amerikan, Donald Trump, shpërndau në rrjetin social Twitter një thirrje për shkarkimin e Anthony Faucit, anëtar kyç i task-forcës për koronavirus në Shtëpinë e Bardhë.

Mesazhi fillestar ishte postuar nga një ish-kandidat republikan për Kongres, i cili shkruante se është koha për të shkarkuar Faucin, derisa citonte pjesë të një interviste të ekspertit amerikan.

Eksperti më i lartë i vendit për sëmundjet infektive, ka thënë se Shtetet e Bashkuara “do të mund të shpëtonin jetë” nëse do të prezantonin më herët masat e izolimit për shkak të koronavirusit të ri.

Ai ka thënë në këtë intervistë se nëse “nga fillimi do të mbyllnim gjithçka, gjërat do të ishin pak më ndryshe”.

Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë regjistruar më shumë se 550,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe mbi 22,000 të vdekur, shumica prej tyre në Nju Jork.

Fauci ka marrë rëndësi kombëtare si udhëheqës në luftën kundër koronavirusit. Ai e ka kundërshtuar ose korrigjuar Trumpin për çështje shkencore gjatë krizës, duke përfshirë edhe atë, nëse ilaçi anti-malaria hidroksikloroku është i efektshëm kundër koronavirusit të ri.

Javën e kaluar gjatë konferencës së përditshme në Shtëpinë e Bardhë, Trump e pengoi Faucin të përgjigjet në një pyetje në lidhje me hidroksiklorurinën.

Fauci, 79 vjeç, ka udhëhequr agjencinë federale të sëmundjeve infektive që nga viti 1984 nën presidentët republikanë dhe demokratë.

Ish presidenti republikan, George W. Bush e nderoi atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë më 2008.

XS
SM
MD
LG