Ndërlidhjet

Rreth 3 milionë të infektuar me koronavirus në botë


Një grua me maskë mbrojtëse në Nju Jork.

Një numër vendesh në botë kanë njoftuar lehtësime të kufizimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në ndërkohë numri i të infektuarve nga koronavirusi në botë është rreth 3 milionë, me rreth 206,000 vdekje.

Ekzistojnë dyshime për raportime të dyshuara të numrave, testime të kufizuara dhe infeksione asimptomatike, madje edhe fshehje të qëllimshme nga disa qeveri.

Më së shumti dyshime ka për Kinën dhe raportimet nga atje, të nxitura pjesërisht nga akuzat ndaj qeverisë, për të cilën thuhet se fillimisht u përpoq të fshihte shtrirjen e shpërthimit të virusit.

Vendi me 1.4 miliardë njerëz regjistroi vetëm tre raste të reja të koronavirusit më 27 prill dhe nuk ka raportuar vdekje të reja për 12-të ditë me radhë.

Numri i të infektuarve në këtë vend është rreth 83,000 dhe i vdekjeve 4,633, sipas të dhënave zyrtare.

Në vendet perëndimore, numri i vdekjeve ka treguar shenja të rënies derisa masat e izolimit gradualisht po lehtësohen, për të rihapur ekonomitë e rrënuara.

Në Shtetet e Bashkuara, vendi më i goditur në botë me afro 1 milion raste të konfirmuara dhe më shumë se 55,000 vdekje, një grup shtetesh kanë përgatitur plane për këtë javë, për të lehtësuar kufizimet e koronavirusit, pasi papunësia është rritur.

Në Evropë, shumë vende po lehtësojnë masat e izolimit derisa kanë rritur numrin e testimeve dhe gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar.

Italia njoftoi se do të lehtësojë masat e izolimit, por autoritetet paralajmëruan se distancimi fizik dhe mbajtja e maskave të fytyrës do të mbesin në fuqi.

Ky vend do të rihapë disa biznese të vogla dhe ato prodhuese gjatë kësaj jave.

Italia ka numrin më të madh të vdekjeve nga COVID-19 në Evropë - më shumë se 26,000.

Edhe Franca, Gjermania dhe Belgjika kanë paralajmëruar lehtësim të masave.

XS
SM
MD
LG