Ndërlidhjet

Shërbimi Korrektues njofton se zyrtari me COVID-19 është dërguar në izolim


Foto ilustrim.

Më 22 prill, udhëheqësi i Trajnimeve në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se i njëjti është liruar nga detyra dhe është vendosur në vetizolim.

“Në funksion të lokalizimit të infeksionit dhe parandalimit të përhapjes së Covid 19 në Qendrën Korrektuese Dubravë menjëherë ka filluar gjurmimi i kontakteve të të gjithë zyrtarëve korrektues në këtë qendër”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Katër zyrtarëve të tjerë, të cilët kanë qenë në kontakt me të, u janë bërë testet dhe kanë rezultuar negativë.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 763 raste me koronavirusin e ri, 21 persona kanë vdekur ndërsa 166 janë shëruar.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se deri më tani në qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit, asnjë i burgosur nuk është prekur me virusin “Covid 19”, ndërsa kanë rezultuar pozitivisht shtatë zyrtarë korrektues.

Nga shtatë të infektuarit, pesë janë nga Qendra e Paraburgimit Mitrovicë, një nga Qendra Korrektuese Dubravë dhe një nga Qendrën e Paraburgimit Gjilan.

Nga ky numër, të shëruar janë pesë, ndërsa dy zyrtarë janë liruar nga detyra për t'u vendosur në vetizolim.

XS
SM
MD
LG